Këshilli i qytetit të Mariupolit ka njoftuar të shtunën se 10 autobusë bosh u nisën për në Berdyansk, qytet 84 kilometra në perëndim të Mariupolit, për të marrë njerëzit që mund të arrijnë atje vetë. Rreth 2,000 ikën nga Mariupoli të premten, disa me autobusë dhe disa me automjetet e tyre, kanë thënë zyrtarët e qytetit.
Teksa forcat ruse janë tërhequr nga rajoni i Kievit, ushtarët kanë krijuar gjendje të rëndë për civilët pasi kanë lënë mina përreth shtëpive, pajisjeve të braktisura, “madje edhe në trupat e të vdekurve”, ka tërhequr vërejtjen presidenti Volodymyr Zelenskyy të shtunën.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë kanë raportuar për fakte të shumta se Rusia është duke tërhequr ushtrinë përreth Kievit dhe duke forcuar atë për një sulm të madh në lindje të Ukrainës. Ushtarët ukrainas kanë rimarrë kontrollin e disa pjesëve të kryeqytetit, duke detyruar tërheqjen e ushtrisë ruse.
Situata e favorshme nuk do të thotë se Ukraina nuk do të bombardohet pas pesë javësh luftë që ka detyruar shpërnguljen e 4 milionë ukrainasve në drejtim të shteteve përreth. Zelenskyy nuk pret qetësim të situatës.
“Ende nuk është i mundshëm kthimi në jetën normale, siç ishte dikur, edhe në territoret që i kemi marrë nën kontroll pas luftimeve”, ka thënë Zelenskyy në një adresim. “Duhet të presim derisa toka jonë të çminohet, do të presim derisa të sigurohemi se nuk do të ketë bombardime të reja”.
Fokusi i Moskës në Ukrainën lindore e mbajti në pikëpyetje qytetin e rrethuar të Mariupolit. Qyteti port në detin Azov ndodhet në rajonin kryesisht rusisht-folës të Donbasit, ku separatistët e mbështetur nga Rusia kanë luftuar trupat ukrainase për tetë vjet dhe analistët ushtarakë mendojnë se presidenti rus, Vladimir Putin, është i vendosur për ta kapur pasi forcat e tij dështuan të sigurojnë Kievin dhe qytete të tjera të mëdha.
Puna humanitare
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq planifikoi të shtunën të hyjë në Mariupol për të evakuuar banorët. Kryqi i Kuq ka thënë se nuk mund ta kryente operacionin të premten sepse nuk kishte marrë garanci se rruga ishte e sigurt. Autoritetet e qytetit kanë thënë se rusët bllokuan hyrjen në qytet.
Grupi humanitar ka bërë të ditur se një ekip me tri automjete dhe nëntë anëtarë të stafit të Kryqit të Kuq ishte në rrugë për të ndihmuar në lehtësimin e kalimit të sigurt të civilëve të shtunën pas përpjekjes së dështuar një ditë më parë. Në një deklaratë të premten vonë, grupi ka thënë se planifikoi të shoqëronte një kolonë civilësh nga Mariupoli drejt një qyteti tjetër.
“Prania jonë do të vendosë një shenjë humanitare në këtë lëvizje të planifikuar të njerëzve, duke i dhënë autokolonës mbrojtje shtesë dhe duke ua kujtuar të gjitha anëve natyrën civile, humanitare të operacionit”, thuhet në deklaratë.
Këshilli i qytetit të Mariupolit ka njoftuar të shtunën se 10 autobusë bosh u nisën për në Berdyansk, qytet 84 kilometra në perëndim të Mariupolit, për të marrë njerëzit që mund të arrijnë atje vetë. Rreth 2,000 ikën nga Mariupoli të premten, disa me autobusë dhe disa me automjetet e tyre, kanë thënë zyrtarët e qytetit.
Të evakuuarit hipën në rreth 25 autobusë në Berdyansk dhe mbërritën rreth mesnatës në Zaporizhzhia, qytet ende nën kontrollin ukrainas që ka shërbyer si destinacion sipas armëpushimeve të mëparshme të shpallura për të nxjerrë civilët jashtë dhe për të ndihmuar në Mariupol.
Midis tyre ishte Tamila Mazurenko, e cila ka thënë se iku nga Mariupoli të hënën dhe arriti në Berdyansk po atë natë. Mazurenko ka shtuar se priti autobusin deri të premten, duke kaluar natën në një fushë.
“Unë kam vetëm një pyetje: Pse?”, ka thënë ajo për atë që po ndodh në qytetin e saj. “Ne kemi jetuar vetëm si njerëz normalë. Dhe jeta jonë normale u shkatërrua. Dhe ne humbëm gjithçka. Nuk kam punë, nuk mund ta gjej djalin tim”.
Beteja për Mariupolin
Mariupoli, i cili u rrethua nga forcat ruse një muaj më parë, ka qenë skena e disa prej sulmeve më të rënda të luftës, duke përfshirë bombardimin e spitalit të maternitetit dhe teatrin që strehonte civilët. Rreth 100 mijë njerëz besohet se janë në qytet, nga 430,000 sa ishin paraluftës dhe duke u përballur me mungesë të madhe uji, ushqimi, karburanti dhe ilaçesh.
Kapja e qytetit do t'i jepte Moskës urë tokësore të pandërprerë nga Rusia në Krime, të cilën e mori nga Ukraina në 2014, por gjithashtu ka marrë një rëndësi simbolike gjatë pushtimit të Rusisë, ka thënë Volodymyr Fesenko, kreu i Institutit ukrainas “Penta”.
“Mariupoli është bërë simbol i rezistencës ukrainase dhe pa pushtimin e tij, Putini nuk mund të ulet në tryezën e bisedimeve”, ka thënë Fesenko.
Këshilltari i Zelenskyy, Oleksiy Arestovych, ka thënë në një intervistë se Rusia dhe Ukraina kishin arritur marrëveshje për të lejuar 45 autobusë të lëvizin në Mariupol për të evakuuar banorët “në ditët në vijim”.
Marrëveshje të tilla janë arritur edhe më parë, por janë shkelur. Të enjten, forcat ruse bllokuan një autokolonë me 45 autobusë që përpiqej të evakuonte njerëzit nga Mariupol dhe sekuestruan 14 tonë ushqime dhe furnizime mjekësore të destinuara për në qytet, thanë autoritetet ukrainase.
Ministri i Mbrojtjes i Turqisë ka thënë se vendi i tij kishte ofruar të ndihmonte në marrjen e civilëve nga deti në Mariupol, ku autoritetet turke vlerësuan se rreth 30 nga qytetarët e tyre mbetën të bllokuar nga rrethimi.
Rreth 500 refugjatë nga Ukraina lindore, duke përfshirë 99 fëmijë dhe 12 persona me nevoja të veçanta, arritën në qytetin rus të Kazanit me tren gjatë natës. I pyetur nëse ai ka parë shanse për t'u kthyer në shtëpi, banori i Mariupolit, Artur Kirillov, u përgjigj: “Kjo nuk ka gjasa, nuk ka më qytet”.
Ndërkohë, Papa Françesku të shtunën kritikoi Rusinë për nisjen e një lufte “të egër” në Ukrainë dhe ka thënë se është duke menduar për një udhëtim në Kiev. Papa nuk e përmendi Putinin me emër të shtunën, por tema e tij ishte mjaft e qartë.
Në periferi të Kievit, shenjat e luftimeve të ashpra ishin kudo në vazhdën e rishpërndarjes ruse. Mjete të blinduara të shkatërruara nga të dyja ushtritë e mbetura në rrugë dhe fusha dhe pajisje ushtarake të shpërndara mbuluan tokën pranë një tanku të braktisur rus.