Botë

Vdes ish-senatori amerikan, Bob Dole

Ka vdekur ish-senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bob Dole. Mediat e huaja raportojnë se Dole vdiq në moshën 98-vjeçare, derisa muaj më parë ishte diagnostifikuar me kancer të shkallës së katërt në mushkëri.

“Me zemër të rëndë, njoftojmë se senatori Robert Joseph Dole vdiq këtë mëngjes në gjumë. Ai i kishte shërbyer me besnikëri Shteteve të Bashkuara të Amerikës për 79 vjet”, thuhet në një njoftim të Fondacionit “Elizabeth Dole”.

Një vit më parë, në afërsi të bulevardit "Bill Clinton" në Prishtinë ishte vendosur busti i Bob Doles, si shenjë e miqësisë së përhershme mes popullit të Kosovës dhe Amerikës. Ceremonia e zbulimit të bustit ishte bërë në 30-vjetorin e vizitës së parë të ish-senatorit.

Në vitin 1996, Dole kishte qenë kandidat i republikanëve për president të SHBA-së.

Ai kishte shërbyer në këmbësorinë amerikane në Luftën e Dytë Botërore, derisa pati pësuar plagë të rënda në Itali.