Dole njihet në Kosovë si një njeri që kontribuoi për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Në disa rrethana, ai madje kishte thënë se ushqente dashuri të veçantë për shqiptarët. Ndërsa, gjatë vizitës së vitit 1990 në Kosovë, ishte bërë ndër të parët dhe të paktët zëra që paralajmëruan se në Kosovë po afrohej lufta
Topeka, 18 shkurt (AP) — Bob Dole, ish-senator i kahershëm dhe i nominuari i vitit 1996 i Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara, ka bërë të ditur të enjten se është diagnostikuar me kancer të shkallës së katërt në mushkëri.
Dole, 97 vjeç, nëpërmjet një deklarate të shkuar, ka thënë se është diagnostikuar me sëmundjen pak kohë më parë dhe se do ta fillojë të hënën trajtimin mjekësor.
“Padyshim se do t’i kemi disa vështirësi përpara vetes, gjithashtu e di se u bashkohem me miliona amerikanëve të cilët përballen me sfida madhore shëndetësore të vetëm”, ka thënë ai.
Pas njoftimit, Dole ka pranuar menjëherë urime për shërim të shpejtë nga i gjithë spektri politik në vend.
Edhe
Biden i nënshtrohet një operacioni për kancer të lëkurës
Senatori i pensionuar i Kansasit, republikani Pat Roberts, ka parashikuar se Dole do ta luftojë kancerin “me kurajën e tij të zakonshme dhe vendosmërinë”.
“E dimë se kanceri është i ashpër, ama Bob Dole është më i ashpër”, ka thënë Roberts.
Dole njihet në Kosovë si një njeri që kontribuoi për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Në disa rrethana, ai madje kishte thënë se ushqente dashuri të veçantë për shqiptarët, kur nga ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, u nderua me dekoratën më të lartë shtetërore, “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.
Ai ka treguar interesim të veçantë për Kosovën. E kishte vizituar në vitin 1990 dhe ishte ndër të parët dhe të paktët zëra që paralajmëruan se në Kosovë po afrohej lufta.
Më 1998, Dole e ka vizituar sërish Kosovën dhe ka paralajmëruar se tani masakra ishte e afërt. Ai i bëri thirrje administratës së presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton, që të ndërmerrte veprime të menjëhershme. I kishte sensibilizuar ligjvënësit e tjerë amerikanë për të kërkuar që presidentit serb, Sllobodan Millosheviqit, t’i dërgohej mesazh i qartë për Kosovën, siç ishte vepruar më parë në Bosnje.
Vetë Bob Dole është veteran i Luftës së Dytë Botërore.
“Ka nga ata që thonë se gjendja në Kosovë është ndërlikuar”, shkruante senatori Dole në atë kohë. “Në fakt, gjendja është më e qartë se kurrë. Kjo është një luftë kundër civilëve dhe ne e dimë se kush është përgjegjësi: Sllobodan Millosheviqi”.
Edhe
SHBA-ja kërcënon me rishqyrtim të rolit në Bosnje për shkak të mosmarrëveshjeve me Evropën
Dole, i lindur në Russell të Kansasit, ka përfaqësuar këtë shtet në Kongres për pothuajse 36 vjet para se të jepte dorëheqje nga Senati më 1996, për ta sfiduar në zgjedhje presidentin demokrat Clinton. Ai kishte garuar pa sukses për nominimin e partisë republikane në vitet 1980 dhe 1988 dhe ishte bashkëgaruesi i presidentit Gerald Ford në vitin 1976, kur Fordi e humbi ballafaqimin presidencial kundruall demokratit Jimmy Carter.
Dole ishte përfshirë gjithashtu në kabinetin e Clintonit, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si bashkëthemelues i një fondi të veçantë për familjet e viktimave. Atij i ishte ndarë Medalja e Artë e Kongresit më 2018 dhe Medalja Presidenciale e Lirisë më 1997 për shërbimet e tij publike.