Botë

Frikë nga kontaminimi, Japonia pezullon 1.6 milionë doza të vaksinës së Modernas

Japonia ka pezulluar përdorimin e rreth 1.6 milionë dozave të vaksinës anti-COVID të Modernas për shkak të kontaminimit, raporton BBC.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se janë gjetur disa substanca në disa prej dozave të një grupi prej afërsisht 560 mijë shisheve të vaksinës.

Takeda Pharmaceutical, që shet dhe shpërndan vaksinën në Japoni, ka thënë se Moderna ka vendosur të pezullojë përdorimin e afro 1.6 milionë dozave të vaksinës si masë parandaluese.

Ka thënë se ky problem mund të ketë rrjedhë nga fabrika e prodhimit në Spanjë, por nuk e ka shtjelluar më tepër.

“Deri më tash, asnjë çështje e efikasitetit apo sigurisë nuk është identifikuar”, ka thënë Moderna, duke treguar se po punon me rregullatorët dhe Takedan për të hetuar çështjen.

Nuk ka pasur detaje se për çfarë substanca bëhet fjalë, por Takeda i ka përshkruar si grimca ato, dhe ka thënë se për këtë arsye ka kryer një hetim emergjent.

Raportime të kontaminimit të vaksinave kanë ardhur nga shtatë qendra tjera të vaksinimit, sipas “Japan Times”, ku 39 shishe të vaksinave – apo 390 doza – është zbuluar se janë prekur.

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar numrat e serisë në mënyrë që njerëzit që kanë marrë dozat nga kjo seri para pezullimit të përdorimit, të mund të kontrollohen nëse kanë marrë vaksinë të kontaminuar, shkruan Japan Times.

Japonia po përballet me rritje të rasteve me koronavirus, ku të mërkurën tetë prefektuar tjera janë vendosur në gjendje emergjente.

Kryeqendra Tokio aktualisht po i organizon Lojërat Paralimpike.

Japonia ka aprovuar vaksinat e Pfizerit dhe AstraZenecas, ndërsa atë të Modernas ka filluar ta përdorë vetëm në maj.

Vetëm afro 40 për qind të japonezëve janë vaksinuar plotësisht dhe afro 50 për qind kanë marrë një dozë.