Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

J&J pauzon prodhimin e vaksinës anti-COVID

Johnson & Johnson

Një nga fabrikat kyçe të Johnson & Johnson ka ndaluar së prodhuari vaksinën anti-COVID, ndonëse kompania thotë se ka miliona doza në inventarin e saj, raporton “The New York Times”.

Vaksina e Johnson & Johnson ishte preferuar nga shumë shtete, për faktin se aplikohej vetëm një dozë.

Mirëpo, kompania amerikane, që ka mbetur prapa në dërgesat e saja te shtetet e varfra, nga fundi i vitit të kaluar në heshtje ka mbyllur fabrikën e vetme të prodhimit të vaksinave të përdorshme, sipas njerëzve të familjarizuar me këtë vendim.

Fabrika, në qytetin holandez Leiden, në vend të kësaj ka prodhuar një vaksinë eksperimentale, por potencialisht më fitimprurëse për të mbrojtur kundër një virusi tjetër.

Ky ndalim i prodhimit është i përkohshëm, pasi fabrika në Leiden pritet të prodhojë sërish vaksina anti-COVID pas një pauze disa mujore.

Nuk është e qartë se sa ka pasur ndikim në furnizimin me vaksina, kjo falë rezervave që posedon kompania.

Por gjatë muajve të ardhshëm, ndalimi i prodhimit ka potencial për ta zvogëluar furnizimin me vaksina anti-COVID të Johnson & Johnson për disa qindra miliona doza, siç thotë një person i familjarizuar me vendimin.

Fabrika tjera janë angazhuar për të prodhuar vaksinën, por disa prej tyre ende nuk janë duke funksionuar e disa nuk kanë arritur ta marrin aprovimin e rregullatorit për të prodhuar vaksinën.

Brenda zyrave të Johnson & Johnson vendimi për të pezulluar prodhimin në Leiden, ka shkaktuar shqetësime se mund ta dëmtojë aftësinë e kompanisë për t’i përmbushur detyrimet që i ka ndaj shteteve në zhvillim.

Lëvizja e Johnson & Johnson ka shqetësuar edhe zyrtarët e dy prej klientëve më të rëndësishëm të kompanisë: Unionin Afrikan dhe COVAX-in, që po sigurojnë vaksinat për shtetet e varfra.

“Nuk është koha për ta ndërruar linjën e prodhimit kur jetët e njerëzve në gjithë botën në zhvillim janë në rrezik”, ka thënë doktori Ayoade Alakija, një bashkëdrejtues i programit të Unionit Afrikan për shpërndarje të vaksinave.

Jake Sargent, zëdhënës i Johnson & Johnson, përmes emailit tha se kompania është e përqendruar për të siguruar vaksinën për njerëzit që kanë nevojë për të dhe se prodhimi global i tij po funksionon ditë e natë për të ndihmuar në luftën kundër pandemisë.

Ai ka thënë se Johnson & Johnson ka miliona doza të vaksinave në inventarin e vet.

Artikuj të ngjashëm