Rreth 25 milionë fëmijë në mbarë botën kanë humbur vaksinat rutinë kundër sëmundjeve të zakonshme si difteria, kryesisht për shkak se pandemia COVID-19 ndërpreu shërbimet e rregullta shëndetësore ose shkaktoi dezinformata rreth vaksinave, sipas Kombeve të Bashkuara, raportoi AP-ja të shtunën.
Në një raport të ri, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF-i thanë se shifrat e tyre tregojnë se 25 milionë fëmijë vitin e kaluar nuk arritën të vaksinohen kundër difterisë, tetanosit dhe kollës së mirë.
“Ky është një alarm i kuq për shëndetin e fëmijëve”, tha Catherine Russell, Drejtore Ekzekutive e UNICEF-it.
"Ne jemi dëshmitarë të rënies më të madhe të vazhdueshme të imunizimit të fëmijëve në një brez", tha ajo, duke shtuar se pasojat do të shihen në jetët e humbura.
Të dhënat treguan se shumica dërrmuese e fëmijëve që nuk arritën të imunizoheshin jetonin në vendet në zhvillim, përkatësisht Etiopi, Indi, Indonezi, Nigeri dhe Filipine. Ndërsa mbulimi i vaksinave ra në çdo rajon të botës, efektet më të këqija u panë në Azinë Lindore.
Shkencëtarët kanë thënë se mbulimi i ulët i shkallës së vaksinimit tashmë ka rezultuar në shpërthime të sëmundjeve si fruthi dhe poliomieliti. Në mars 2020, OBSH-ja dhe partnerët tjerë shëndetësorë i kërkuan shteteve që të suspendojnë përpjekjet kundër poliomielitit në mes të përhapjes së pandemisë me COVID-19. Që nga atëherë ka pasur dhjetëra epidemi të poliomielitit në më shumë se 30 shtete.
-
Miliona fëmijë rrezikohen nga ngecja e procesit të vaksinimit
-
23 milionë fëmijë në gjithë botën mbetën pa u vaksinuar si pasojë e pandemisë
-
Pesë gjëra që prindërit duhet t’i dinë për fruthin
-
Dyfishohen rastet e fruthit në Evropë dhe Azi qendrore më 2024, shifrat më të larta nga 1997-a
-
Së shpejti edhe të rriturit do të mund të rrezikohen nga sëmundjet e “fëmijërisë”