Botë

Emiratet kryen fluturimin e parë tregtar drejt Izraelit

Dubai, 26 nëntor – Kompania ajrore me çmime të ulëta ”Flydubai” filloi sot fluturimet e para direkte drejt Tel-Avivit, dy muaj pas normalizimit të marrëdhënieve mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, nën drejtimin e SHBA-së.

”Avioni u ngrit sot në mëngjes”, konfirmoi një zëdhënës i Aeroportit Ndërkombëtar të Dubait, një nga më të mëdhenjtë në botë.

”Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të jetë i pranishëm, ndërsa avioni mbërrin në aeroportin ndërkombëtar ‘Ben-Gurion”, theksoi në Twitter Ofir Gendelman, zëdhënësi i tij për median arabe.

Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan në shtator një marrëveshje të negociuar nga SHBA-ja për të zyrtarizuar marrëdhëniet e tyre me shtetin hebre, marrëveshja e parë e këtij lloji, e arritur nga një shtet arab i Gjirit.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi i tretë arab që normalizon marrëdhëniet e tij me Izraelin, pas Egjiptit në 1979 dhe Jordanisë në 1994, që i dha fund gjendjes së luftës me fqinjin e saj izraelit. Ai u ndoq shpejt nga Bahreini.

”Flydubai” njoftoi në fillim të këtij muaji se do të operojë 14 fluturime në javë midis aeroportit ndërkombëtar të Dubait dhe aeroportit ”Ben Gurion” në Tel Aviv/AFP.