Botë

21 vjet burgim për burrin që plagosi rëndë kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico

Sulmi ndaj Robert Ficos

Sulmi ndaj Robert Ficos

Është shpallur fajtor për terrorizëm dhe është dënuar me 21 vjet burgim burri që ka qëlluar dhe plagosur rëndë kryeministrin sllovak, Robert Fico, vitin e kaluar.

Juraj Cintula, një pensionist 72-vjeçar, kishte qëlluar pesë herë kryeministrin në maj 2024, teksa ai ndodhej në një vizitë në Handlova, rreth 180 km nga kryeqyteti Bratislava.

Personi i armatosur kishte qëlluar Ficon nga një distancë shumë e afërt, pikërisht kur kryeministri po i shtrinte dorën për t'ia shtrënguar atë, duke menduar se ishte një mbështetës.

Në gjykatë, Cintula ka mohuar se ishte përpjekur ta vriste kryeministrin, duke thënë se qëllimisht ia kishte drejtuar armën larg organeve të tij jetësore.

Fico ishte plagosur rëndë në bark dhe ishte transportuar me helikopter në një spital aty pranë për ndërhyrje kirurgjikale, teksa gjendja e tij ishte përshkruar si në rrezik për jetën.

Sulmuesi, një poet amator në të 70-at, ka pretenduar se donte vetëm ta lëndonte Ficon me qëllim që të ndalonte politikat që ai besonte se po dëmtonin Sllovakinë.

E kryeministri është përpjekur të fajësojë opozitën për sulmin dhe për nxitjen e urrejtjes, megjithëse vetë njihet për retorikën thellësisht përçarëse. 

Avokati i Cintulas ka thënë se ai ka të ngjarë të apelojë vendimin.