Botë

13 nga 125 pasagjerët me COVID-19 në aeroplanin Itali – Indi, arratisen

Të paktën 13 pasagjerë, të cilët rezultuan pozitivë me COVID-19 pas mbërritjes së tyre në qytetin indian të Amritsarit, janë arratisur nga karantina institucionale.

Ata ishin në mesin e 125 pasagjerëve të infektuar në një fluturim nga Milano i cili u ul të mërkurën pasdite.

Ndërsa nëntë prej tyre u arratisën nga aeroporti, katër të tjerë u larguan nga një spital lokal, tha një zyrtar.

Policia tha se do të bëjë denoncim ndaj të gjithëve, raporton BBC.

India raportoi më shumë se 100,000 raste të premten - ekspertët besojnë se Omicron po shkakton një rritje të mprehtë të infeksioneve që vendi ka parë javën e fundit.

Në fluturimin Itali-Indi udhëtonin gjithsej 160 pasagjerë. Raportet thanë se fëmijët dhe foshnjat - rreth 19 prej tyre - ishin të përjashtuar nga testimi.

Pamjet televizive treguan ambulanca të rreshtuara në aeroport për të çuar pasagjerët e infektuar në spital ndërsa turmat u mblodhën jashtë portave.

Policia tha se ka nisur procedurat për heqjen e pasaportave.