Botë

Mini-Merkeli, kritiku dhe autsajderi - kandidatët që mund ta pasojnë Merkelin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë të hënën se nuk do të rikandidojë për kreun e të parit të partisë CDU në kongresin e dhjetorit. Merkeli, 64 vjeçe, ka thënë po ashtu se nuk do të rikandidojë as për kancelare për mandatin e pestë më 2021.

Disa politikanë të CDU-së kanë bërë me dije se dëshirojnë të pasojnë Merkelin si liderë të partisë. Më poshtë Reuters ka përpiluar disa fakte për kandidatët e mundshëm, transmeton Koha.net.

Mini-Merkeli

Annegret Kramp-Karrenbauer, 56 vjeç, sipas të gjitha gjasave do të jetë liderja e re e CDU-së pasi Merkeli e kishte emëruar atë në muajin shkurt si sekretare të përgjithshme të partisë – hap ky që po shihet si plan suksesiv.

E cilësuar si “mini-Merkel” nga mediat gjermane për shkak të qasjes së saj racionale ndaj politikës, Kramp-Karrenbauer ishte kryeministre e shtetit të vogël Saarland në kufirin francez nga 2011 deri më 2018.

Sfondi i saj katolik i Gjermanisë perëndimore është i kundërt me atë protestant të Merkelit, që ka rrënjë lindore. Ndonëse konservatore për çështje sociale dhe e njohur për kundërshtimin e saj për martesat mes gjinisë së njëjtë, Kramp-Karrenbauer është edhe mbështetëse e fuqishme e pagës minimale dhe e të drejtave të punëtorëve, transmeton Koha.net.

Në një përpjekje për t’u distancuar nga Merkeli dhe stili i saj udhëheqës, Kramp-Karrenbauer ka thënë se CDU-ja do të duhet të rifitojë pak pasion nëse dëshiron të tërheq votues të rinj.

Ndonjëherë e njohur edhe me shkurtesën AKK, ajo është e bija e një mësuesi për fëmijë me probleme mendore, dhe është e martuar me një inxhinier minierash, me të cilin ka tre fëmijë.

Kritiku

Jens Spahn, 38 vjeç, është bërë një nga kritikët më të ashpër të Merkelit brenda CDU-së që kur ajo vendosi më 2015 të mirëpriste mbi 1 milion refugjatë, kryesisht myslimanë nga zona lufte në Lindjen e Mesme.

Ai është i pozicionuar si politikan nga veriperëndimi rural i Gjermanisë që është skeptik i liberalëve urbanë dhe i elitës globaliste.

Në një përpjekje për të frenuar Spahnin, Merkeli këtë vit e emëroi atë ministër të Shëndetësisë – një portfolio me gjemba që bart në vete shumë punë dhe shumë tituj gazetash.

Anëtar i dhomës së ulët të parlamentit që nga viti 2002, Spahn është cilësuar si yll në ngritje për vite me radhë nga konservatorët seniorë siç është Wolfgang Schaeuble, transmeton Koha.net.

Megjithatë, retorika e tij anti-imigrim në pikun e krizës me refugjatë i kushtoi atij me humbje të simpatisë mes aleatëve të Merkelit.

Miqësia e tij publike me Richard Grenell, ambasadori i presidentit amerikan Donald Trump në Gjermani, po ashtu ka bërë që shumë konservatorë që nuk e pëlqejnë stilin e politikës së Trumpit të ngrenë vetullat.

Spahn është katolik sikurse Kramp-Karrenbauer por, edhe përkundër kundërshtisë së kishës ndaj partneriteteve mes gjinisë së njëjtë, është i martuar me Daniel Funken, një gazetar shumë vjeçar në revistën gjermane “Bunte”.

Autsajderi

Friedrich Merz, 62 vjeç, ishte i pari që hodhi kapelën në ring të hënën pas lajmit se Merkeli nuk do të kandidonte më si lidere e CDU-së, sipas burimeve partiake.

Merz, anëtar i krahut konservator të CDU-së, i është bashkuar idesë së “Leitkultur”-ës gjermane, apo ‘kulturës udhëheqëse’, përmes së cilës ai u bënte thirrje migrantëve myslimanë të asimilohen dhe të pranojnë vlerat dhe traditat gjermane.

Ai është i njohur edhe për propozimin e tij për të thjeshtësuar taksat vjetore të kthyeshme.

Merz është në mesin e shumë burrave konservatorë, fatet politike të të cilëve janë venitur gjatë Merkelit, transmeton Koha.net.

Më 2002, Merkeli e bëri atë të largohet nga pozita e tij si udhëheqës parlamentar i CDU-së për të çimentuar kontrollin e saj ndaj partisë, ndërsa më 2005 ui bë edhe kancelare.

Avokat i trajnuar dhe ish-anëtar i Parlamentit Evropian, Merz ka shërbyer në Parlamentin gjerman nga viti 1994 deri më 2009, dhe tani mban disa poste jo-ekzekutive nëpër borde kompanish, përfshirë edhe postin e kryesuesit të degës gjermane të fondit amerikan “BlackRock”.

Ai është i martuar me Charlotte Merz, gjykatëse, me të cilën ka tre fëmijë.