(CNN) – Është një mësim që shumë politikanë – kryesisht meshkuj – e kanë nxjerrë me vështirësi gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të kaluara: asnjëherë mos e nënvlerëso Angela Merkelit.
Kancelarja gjermane po përgatitet të japë dorëheqje në gjysmën e dytë të këtij viti, pasi ia ka dalë kaherë ta çimentonte pozitën e saj si një prej liderëve më të suksesshëm politikë të botës.
Gjatë kohës së saj në krye të detyrës, ajo është marrë me pesë kryeministra britanikë, katër presidentë francezë dhe shtatë kryeministra italianë. Kur presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, të inaugurohet të mërkurën, do të jetë komandanti i katërt suprem amerikan me të cilin ka bashkëpunuar.
“Miss Gjermania!”
Pavarësisht të dhënave rekorde, Merkeli, liderja e ekonomisë së katërt më të madhe në botë, ka kaluar shumicën e karrierës politike duke e dëshmuar veten.
Edhe
Humbja në zgjedhje nuk e zbeh imazhin e Merkelit
Homologët e saj janë munduar ta mbizotërojnë ose ta nënvlerësojnë. Vladimir Putini një herë ia kishte sjellë qenin “Labrador” në takim duke e ditur se kancelarja frikësohej prej qenve. Donald Trumpi i kishte thënë se është budallaqe. Silvio Berlusconi njëherë e kishte lënë të priste pesëmbëdhjetë minuta derisa po bisedonte në telefon.
Kur ajo u bë gruaja e parë në krye të postit më të lartë në Gjermani më 2005, shumëkush kishte dyshuar, për shkak se i mungonte përvoja dhe karizma.
“Bild”, gazeta më e lexuar e Gjermanisë, e kishte shënuar këtë rast me një fotografi në ballinë dhe me kryeartikullin “Miss Gjermania!” Madje edhe brenda partisë së saj, asaj i ishin referuar si “das Mädchen “, ose gjermanisht “çupa”.
Por derisa liderët e tjerë kanë ardhur dhe shkuar gjatë viteve të ndryshme, Merkeli ia ka dalë mbanë, duke gëzuar popullaritet të pashembullt. “Das Mädchen“ u bë e njohur me nofkën “die Mutti”, figurë e nënës dhe simbol i stabilitetit.
Nga “e përkohshme” në të pasfiduar
Analisti politik, Joyce Mushaben, ka thënë se Merkeli është parë si liderë “e përkohshme” kur u ngrit së pari në radhët e partisë Unioni Kristiandemokratik (CDU).
Shumë prej rivalëve të saj burra janë zhytur në skandale dhe kishte një ndjenjë se “ajo do të të mbetej në krye deri sa të gjendej një burrë i vërtetë CUD-je për ta zëvendësuar”, ka thënë Mushaben. “Ata e nënvlerësuan krejtësisht aftësinë e saj për të mësuar”.
Merkel e udhëhoqi për tetëmbëdhjetë vjet partinë, duke dhënë dorëheqje në fund të vitit 2018. Dhe shumë shpejt u bë e qartë se sa vështirë ishte që të zëvendësohej. Pasuesja e preferuar e Merkelit, Annegret Kramp-Karrenbauer, nuk e mbajti më shumë se një vit, meqë kishte telashe të tejkalonte ndasitë rajonale në parti.
Në fundjavë, CDU-ja e zgjodhi Armin Laschetin si pasues të saj. Laschet, një aleat i kahershëm i Merkelit që tani është president-ministër i shtetit federal të Vestfalisë së Rajnës Veriore, fitoi me 52.79 për qind të votave, duke e mposhtur Friedrich Merzin, avokat korporate, i cili mori 47.21 për qind të votave.
Ana e saj “unike”
Laschet do t’i prijë partisë në zgjedhjet federale të shtatorit. Zgjedhja e tij ishte një votë e qartë në favor të vazhdimit të politikë së moderuar të Merkelit.
Mushaben, biograf i Merkelit dhe profesor i politikës krahasimtare dhe studimeve gjinore në Universitetin e Missouri-St. Louisit, ka thënë se çelësi i suksesit të Merkelit bazohet në përzierjen unike të së kaluarës dhe aftësive të saj.
Përvoja e saj e rritjes si e bija e një pastori në Gjermaninë Lindore komuniste ka ndikuar thellë në vendimmarrjen e saj politike dhe si ish-shkencëtare me doktoratë në kiminë kuantike, shpesh u qasej problemeve në të njëjtën mënyrë si kalkulime të ndërlikuara, ka thënë Mushaben.
Kur mentori i saj politik, Helmut Kohl, u zhyt në një skandal korrupsioni më 1999, ajo e denoncoi publikisht dhe i bëri thirrje të largohej, megjithëse kaherë kishte qenë protektori i saj.
“Njerëzit e panë si person me integritet, si dikush që nuk nxirrte gjithçka që i vinte te goja, por si dikush që priste derisa kishte diçka të përnjëmendtë për të thënë”, ka thënë ai.
Duke qenë gruaja e parë që do të bëhej kancelare, Merkeli u bë edhe politikane e parë nga ish-Gjermania Lindore që do të merrte postin më të lartë pas rënies së Murit të Berlinit.
Merkeli iu referua kësaj pjese të së kaluarës kur kërkoi më shumë kufizime kundër pandemisë së koronavirusit, duke e pranuar se është një prej atyre personave që e sheh lirinë për të udhëtuar si një të drejtë të fituar me mund të madh, deri sa po fliste për rregullat e reja, por shpjegoi se ishin të domosdoshme.
Corinna Hoerst, anëtar i lartë dhe zëvendësdrejtor në Fondin Gjerman Marshall në Bruksel, ka thënë thënë se Merkeli ishte lloj i ri i lideres.
Edhe
Gjermania e Merkelit, lidere e botës së lirë
“Prej saj kullon ndjeshmëria, stabiliteti dhe besueshmëria”, ka thënë Hoerst. “Kjo është unike dhe e ka ridefinuar në njëfarë forme çfarë njerëzit po e kërkojnë te një lider, sepse është krejt e kundërt me çfarëdo lloj të paragjykimeve mashkullore që i kemi pasur”.
Menaxherja e krizës së botës
Edhe kritikët e saj më të ashpër e pranojnë se Merkeli ka fuqi të jashtëzakonshme kur vjen puna te menaxhimi i krizave, duke qenë se ishte në krye të Gjermanisë gjatë krizës financiare botërore, krizës së eurozonës dhe krizës së emigrantëve; kur kanë mbetur edhe disa para se ta përfundojë mandatin, ajo mbetet në ballë të luftës kundër pandemisë së koronavirusit.
Ajo shpesh ka vepruar si zëri i arsyes, dhe si dalëzotëse e marrëveshjeve. Analistët politikë e shohin atë si person “të qetë”, “pragmatik” dhe “diplomatik”. Disa syresh mendojnë se në këtë përzierje duhet shtuar edhe si “të mërzitshme”.
“Nuk ka asgjë flamuroze te ajo”, thekson Gabriele Abels, profesoreshë e politikës krahasimtare në Universitetin e Tubingen në Gjermani. “Ajo është tepër racionale dhe njerëzit asnjëherë nuk mendojnë për të se mund të jetë korruptuar”.
Abels ka thënë se Merkeli mishëron çfarë shumica e gjermanëve e kërkojnë te një lider: “Derisa shpesh kthejmë sytë kah vendet e tjera, që kanë liderë më karizmatikë, ne nuk duam të njëjtit edhe për ne, kemi pasur boll të ngjashme në histori”.
Ndërmjetësuese e krizave
Hoerst ka thënë se fuqia kryesore e Merkelit viteve të fundit ka qenë ndërtimi i konsensusit dhe udhëheqja e ndërmjetme.
“Është paksa qesharake se ne gratë, e shihnim si ‘Oh, është tepër emocionale’, por aktualisht kanë qenë burrat ata që janë treguar emocionalë, qoftë Boris Johnsoni ose presidenti Trump, derisa kancelarja Merkel është treguar diplomatike dhe e vendosur të mos marrë vrull, por që ta ndajë atë ide me njerëzit përreth”, ka thënë ajo.
Vendosmëria e Merkelit për të arritur marrëveshje gjatë disa prej krizave më të mëdha të dekadës së kaluar. Ka qenë e zonja të ndërmjetësojë marrëveshje ndërmjet eurozonës dhe Greqisë dhe bindi zyrtarët më të lartë të Rusisë dhe Ukrainës të flisnin me njëri-tjetrin.
Si ish-shkencëtare dhe ministre mjedisi, ajo e ka vënë nga fillimi i lidershipit mjedisin në qendër të vëmendjes. Ua kishte mbushur mendjen liderëve botërorë të pranonin shkurtimet e emetimeve të dyoksidit të karbonit.
“Mund t’ia dalim”
Kishte kohë kur Merkeli nuk kishte kërkuar kompromis, sidomos gjatë vitit 2015 kur mirëpriti refugjatët që po largoheshin nga konfliktet në Siri dhe gjetiu.
“Njerëzit e persekutuar politikisht kanë të drejtën e azilit. Ne mund të krenohemi me njerëzoren e Ligjit tonë Themeltar, ne u ofrojmë mbrojtje edhe atyre që vijnë te ne derisa ikin nga luftërat”, kishte deklaruar ajo para popullit gjerman verën e atëhershme.
“E them troç: Gjermania është një vend i fortë. Motivi me të cilin ne u qasemi këtyre gjërave duhet të jetë: Kemi arritur shumë – mund t’ia dalim!” – deklaronte Merkel.
“Për mua, ai ishte momenti i saj i pashlyeshëm, se periudha trijavore më 2015 ku ajo kishte marrë vendimin për të luftuar kundër të gjithë njerëzve në kabinetin e saj dhe shefin e policisë federale dhe gardianët e kufirit, krejt ata thanë se nuk do ta bënin dhe ajo tha: ‘Mund t’i shpëtojmë bankat, mund t’i shpëtojmë qeniet njerëzore’”, ka thënë Mushaben.
Hoerst mendoni se vendimi i saj do të formësojë një hise të madhe të trashëgimisë së Merkelit.
“Ishte një veprim njerëzor dhe puna e drejtë që duhej bërë”, ka thënë ajo. “Ajo fuqizoi qytetarët gjermanë të cilët ndienin dhembshuri për refugjatët, por mbase nuk ishin aktivë dhe ajo u ofroi mbështetje me qëllim që të organizoheshin në aspektin vendor dhe të hapnin edhe shtëpitë e tyre”.
Edhe
Gjermania pas Angela Merkelit
Ende nuk dihet nëse Merkel do të tërhiqet krejtësisht nga politika, por dihet mirëfilli se ajo do të vazhdojë të ndikojë botën edhe për një kohë.
“Në të ardhmen, do të jetë shumë e vështirë të argumentohet se një grua nuk mund të jetë lidere e suksesshme, dhe ky është një mesazh i rëndësishëm për t’u thënë”, ka thënë Abels.