Olaf Scholz, i cili u priu socialdemokratëve në fitoren e ngushtë të së dielës, me sukses kopjoi stilin e qetë të Merkelit në krejt fushatën e tij. Angazhimi i fuqishëm i saj për integrimin evropian dhe aleancën transatlantike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë edhe nën qeverisjen e Scholzit apo Laschetit
Angela Merkeli do të largohet nga posti në muajt e ardhshëm me popullaritetin e paprekur në mesin e votuesve dhe si e admiruar përtej Gjermanisë, që do të vazhdojë të njihet si kancelare e cila drejtoi me shkathtësi shtetin e saj dhe Evropën në krizat e shumta.
Ama, blloku i saj i qendrës së djathtë është në rrëmujë.
Unioni kristiandemokrat dikur dominues dhe partia simotër e Bavarisë, Unioni Kristiansocial, pësuan të dielën disfatën më të keqe në histori të zgjedhjeve kombëtare. Blloku i Merkelit siguroi më pak se një të katërtën e votave dhe tani e presin ulëset e opozitës pas 16 vjetësh në pushtet.
Faji për këtë i është hedhur kryesisht kandidatit të partisë, Armin Laschet, guvernator shteti, gafat dhe sjelljet e zymta të të cilit ishin krejt e kundërta e imazhit të Merkelit si grushtetase e qetë dhe profesioniste.
Mirëpo kritikët thonë se udhëheqja shumëvjeçare e mban të paktën njëfarë përgjegjësie për vështirësitë në të cilat ndodhet tani partia e saj.
“Në vitet e fundit Merkeli është përqendruar në qeveri dhe ka lënë pas dore punën në parti”, thotë Klaus Stuewe, politikolog në Universitetin Katolik të Eichstaett-Ingolstadt.
Largimi nga partia
Pasi dha dorëheqje nga posti i shefes së partisë në vitin 2018, Merkeli u tërhoq nga skena teksa kristiandemokratët iu nënshtruan një procesi të dhimbshëm për shef partie. Kriza brendapartiake e shtyri që të hiqte dorë nga përpjekjet për të hartuar një program koherent, i cili vite më parë u përqendrua në personalitetin e Merkelit, ndërkaq shumë votues humbën besimin në kompetencën e partisë në pikat kyç, si politika e jashtme dhe ekonomia.
Edhe pasi Lascheti fitoi nominimin e bllokut pas një beteje të vështirë në muajin prill, Merkeli ishte e distancuar nga partia. Kjo nxiti dyshime brenda partisë nëse asaj i interesonte ajo që po ndodhte tani pasi ishte larguar. Ai që mund të ketë qenë një vendim i hirshëm politik ashtu që politikanët më të rinj të mund të merrnin frenat teksa udhëheqësja 67-vjeçare largohej, u kthye në një boshllëk të madh. Gjithashtu nuk dihej se si ndihej Merkeli për Laschetin, si pasardhës i mundshëm i saj.
“Për një kohë të gjatë ajo nuk bëri fare fushatë për Laschetin. I dha përkrahje krejt në fund, por atëherë ishte vonë”, thotë Stuewe.
Teksa rezultati i zymtë i zgjedhjeve po bëhej i dukshëm në orët e vona të së dielës, Laschet tha se “askush nuk ka përparësi të madhe në këto zgjedhje”, duke konfirmuar kësisoj dështimin për të marrë pozitën e fuqishme të Merkelit.
Orvatjet e fundit
Blloku kristiandemokrat ende është duke u orvatur për shansin që të udhëheqë me qeverinë e ardhshme me dy partitë më të vogla – ambientalistët e gjelbër dhe demokratët e lirë, mirëpo përfundimi në pozitën e dytë pas socialdemokratëve të qendrës së majtë e bën më të vështirë plotësimin e dëshirës.
Disa anëtarë të partisë kanë bërë thirrje se më së miri është që partia të kalojë një periudhë ripërtëritjeje.
“Natyrisht se jemi gati për bisedime”, thotë guvernatori i Bavarisë, Markus Soeder, që i prin Unionit Socialdemokrat dhe që ishte mposhtur nga Lascheti në garën për kandidat të kancelarisë.
Mirëpo Soederi bëri të qartë se grupimi i tij brenda Unionit është gati që të shkojë në opozitë. “Nuk do të tentojmë të qeverisim së bashku për çfarëdo çmimi”, theksoi ai.
Rezultati i dobët për partinë e saj nuk ka gjasa që të njollosë qëndrimet e shumicës së votuesve për Merkelin, teksa ajo do të vazhdojë të jetë kancelare në detyrë – ndoshta për disa muaj, gjatë të cilëve koalicioni vazhdon bisedimet për qeverinë, thotë Julia Reuschenbach, politikologe në Universitetin e Bonnit.
“Aq më shumë që zgjasin bisedimet për formimin e qeverisë së re, ajo do të vazhdojë të jetë politikania me përvojë, e cila do të udhëheqë me vendin në periudhën e transicionit”, thotë Reuschenbach. Në disa mënyra, politika e Merkelit do të vazhdojë përtej mbretërimit të saj.

Pas Merkelit
Olaf Scholz, i cili u priu socialdemokratëve në fitoren e ngushtë të së dielës, me sukses kopjoi stilin e qetë të Merkelit në krejt fushatën e tij. Angazhimi i fuqishëm i saj për integrimin evropian dhe aleancën transatlantike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë nën qeverinë e Scholzit ose Laschetit, thonë ekspertët.
“Në politikat e brendshme, pasardhësi i saj do të duhet të tregojë veten mbi të gjitha si moderator mes tri partive të koalicionit”, thotë Frank Brettschneider, specialist i teorisë së komunikimeve në Universitetin e Hohenheimit.
Duke vepruar kështu, kancelari i ardhshëm i Gjermanisë do të duhet të adresojë një prej kritikave më të mëdha të qasjes “hap pas hapi” të Merkelit ndaj politikës: se ajo nuk arriti të mbajë hapin me ndryshimet e mëdha që po ndodhnin në Gjermani dhe jashtë saj.
Ani pse shumë njerëz e kanë cilësuar Merkelin si spirancë të stabilitetit, sidomos në kohët me turbullira, të tjerët e panë atë si burim të stagnimit.
Reformat shumë të nevojshme – nisur nga digjitalizimi i shkollave dhe shërbimeve qeveritare e deri te gjelbërimi i industrisë së rëndë të Gjermanisë – nuk janë realizuar nën Merkelin. Dhe pavarësisht protestave të shpeshta dhe të zëshme për të përshpejtuar reagimin e Gjermanisë ndaj ndryshimeve klimatike, ajo u sigurua që industria e fuqishme e automobilave gjermanë të mbrohej nga masat e ashpra.
“Gjatë presidencës së Trumpit, ajo ishte ekran i një qasjeje më liberale dhe kosmopolite, por në thelbin e saj ishte konservatore ndaj politikës”, thotë Stuewe, eksperti i shkencave politike.
Përktheu: Gent Mehmeti