Botë

10 të burgosur arratisen nga burgu në New Orleans, lënë mesazh: Shumë e lehtë

arratisja nga burgu

Dhjetë të burgosur, disa prej tyre të akuzuar për vrasje, janë arratisur nga burgu në New Orleans dhe autoritetet dyshojnë se ata mund të jenë ndihmuar nga stafi i burgut, kanë bërë të ditur autoritetet, shkruan BBC.

Të burgosurit besohet se janë arratisur rreth mesnatës, por mungesa e tyre është zbuluar vetëm gjatë numërimit të mëngjesit të së premtes në orën 08:30 me kohën lokale. Deri më tani, vetëm një nga të arratisurit është kapur.

“Nuk ka asnjë mënyrë që dikush të dalë nga kjo ndërtesë pa ndihmë”, ka thënë sherifja Susan Hutson në një konferencë për media.

Zyra e sherifit publikoi fotografi që tregojnë mënyrën sesi të burgosurit arritën të arratisen, përfshirë edhe mesazhe përqeshëse të lëna nga ata. Njëra prej tyre shkruante: “Shumë e lehtë, LoL”.

Dy nga të burgosurit u kap[n në lagjen French Quarter të New Orleansit, njoftoi policia. Tetë të tjerët konsiderohen “të armatosur dhe të rrezikshëm”, dhe kërkimet për ta vazhdojnë me intensitet.

Policia Shtetërore e Louisianas njoftoi se e ka identifikuar njërin nga të arratisurit, Kendall Myles, në qendër të New Orleansit, përmes teknologjisë së njohjes së fytyrës, pasi ishte filmuar nga një kamerë sigurie. Më vonë e arrestoi edhe Robert Moodyn.

Ai tentoi të arratisej me vrap, por u kap duke u fshehur nën një veturë në një garazh parkimi. Policia konfirmoi se ai është rikthyer në burg dhe po përballet me akuzë të re për “arratisje”.

VIDEO:

Departamenti i Policisë së New Orleansit ka publikuar emrat dhe fotografitë e nëntë të burgosurve të tjerë të arratisur përmes një postimi në platformën X.