Shumica e pozitave të larta në Qeveri dhe agjenci tjera të pavarura ekzekutive dhe rregullatorë vazhdojnë të funksionojnë me ushtrues detyre apo zëvendësues. Prej 58 pozitave të larta drejtuese, 47 prej tyre ushtrohen me ushtrues detyre apo llogaritur në përqindje i bie 81.03 % e pozitave, sipas gjetjeve të Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Në Qeveri, tri pozita të larta drejtuese, ushtrohen nga zyrtarë të lartë të zgjedhur me mandat të plotë. Bëhet fjalë për Sekretarë të përgjithshëm në Ministri të Shëndetësisë, atë të Punëve të Brendshme dhe të Bujqësisë.
Në anën tjetër, janë 13 ministri përfshirë edhe Zyrën e Kryeministrit, të cilat pozitën më të lartë të shërbimit civil në kuadër të tyre e ushtrojnë me Ushtrues Detyre apo Zëvendësues.
Nga 13 pozitat që janë të mbuluara me ushtrues detyre, për shtatë prej tyre kanë qenë të shpallura konkurset. Por shumica e tyre, kanë dështuar të zgjedhin Sekretarin e Përgjithshëm me mandat të plotë, pasi sipas disa arsyetimeve të vendimeve për këto pozita, del se në disa raste janë tejkaluar afatet për publikimin e rezultateve për verifikimin paraprak dhe vlerësimin profesional të kandidatëve për këto pozita, në disa raste tjera për shkak se kandidatët nuk kanë arritur minimumin e pikëve të kërkuara sipas konkursit apo në disa raste kur nuk ka pasur më shumë se dy kandidatë që i plotësojnë kriteret.
Për më tepër, në këto vendime nuk ka arsyetime të fuqishme, të specifikuara se pse në këto raste janë anuluar konkurset. Sidomos, kur kihet parasysh fakti se projekti britanik për rekrutim, në disa prej këtyre konkurseve, kishte vlerësuar disa kandidatë, por të cilët nuk ishin emëruar, ndërsa në konkurset pasuese britanikët kanë refuzuar të marrin pjesë.
Edhe
Në katër ministri, 79 pozita me ushtrues detyre përtej afateve ligjore
“Betimi për Drejtësi” ka pyetur Qeverinë se pse këto arsyetime të vendimeve janë të mangëta dhe ka kërkuar shpjegime shtesë, por ka munguar përgjigja.
Në bazë të Ligjit për Zyrtarë Publikë, neni 33, kategoria më e lartë në shërbim civil është kategoria drejtuesve të lartë, kategori e cila përbëhet nga Sekretarët e Përgjithshëm të Ministrive, Drejtorët ekzekutivë dhe zëvendës drejtorët e agjencive ekzekutive.
Përkundër rëndësisë se këtyre pozitave, edhe në agjenci të pavarura një numër i madh i tyre është me ushtrues detyre. Nga hulumtimi rezulton se prej 40 agjencive të pavarura, në mbi 30 prej tyre, pozita e lartë drejtuese ushtrohet me ushtrues detyre apo me zëvendësues.
Proceset e dështuara për të zgjedhur Sekretarët e Përgjithshëm
Në bazë të ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura, Sekretarët e Përgjithshëm të Ministrive janë përgjegjës për drejtimin e të gjithë veprimtarisë administrativo-profesionale të sistemit ministror. Për më tepër Sekretarët janë përgjegjës dhe vendosin për administrimin e burimeve financiare, materiale dhe njerëzore, të gjithë sistemit ministror.
Megjithëkëtë, për një kohë të gjatë në 13 ministri përfshirë edhe Zyrën e Kryeministrit, këto pozita ushtrohen më ushtrues detyre. Disa ministri kishin shpallur konkurset për këto pozita dhe kishin vazhduar procedurat, por qe secila prej tyre rezulton të ketë dështuar të paktën dy herë.
Për pozitën e sekretarit të Përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit, ishte hapur qysh në gusht të vitit 2021, në një proces të mbyllur ku të drejtë aplikimi, sipas ligjit për zyrtarë publik kishin vetëm shërbyesit civil në Qeverinë e Kosovës. Këtë proces e kishte monitoruar edhe Projekti i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar për rekrutime të pavarura, të përgjegjshme, meritokratike dhe profesionale në Kosovë (BDO), ku kishin publikuar rezultatin, por për arsye të panjohura deri më tani për publikun, qeveria nuk kishte marrë vendim. Qeveria as tani nuk është përgjigjur në pyetjet e emisionit “Betimi për Drejtësi” në lidhje me këtë temë.
Kjo pozitë do të hapej edhe në prill të këtij viti, ku tashmë të drejtë për aplikim kishin të gjithë qytetarët që përmbushnin kriteret për këtë pozitë, por edhe kësaj radhe zgjedhja kishte dështuar.
Procesin e dytë projekti britanik BDO nuk e kishte monitoruar, duke theksuar se ata e kanë dhënë vlerësimin e tyre dhe nuk duan të shpenzojnë paratë e taksapaguesve britanez në procedura të pafundme.
Ministria e Drejtësisë është ajo që këtë pozitë e ka shpallur për plot tre herë, dhe të tri herët ka dështuar. Njëjtë, ka ndodhur edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ku kanë dështuar të zgjedhin Sekretarin e Përgjithshëm për dy herë radhazi.
Pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm për tre herë radhazi e ka hapur edhe Ministria e Mbrojtjes edhe Ministria e Arsimit, por që në faqen e Ministrisë së Punëve të brendshme, këto procedura nuk janë konsideruar të dështuara por të mbyllura.
Ndërsa, nga një herë pozitën e Sekretarit e kanë shpallur në muajin maj 2021 Ministria e Zhvillimit Rajonal, dhe në muajin korrik Ministria e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Edhe këto Ministri mbesin me ushtrues detyre apo zëvendësues në këto pozita.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme, kishte zgjedhur sekretarin e Përgjithshëm, edhe pse nga monitorimi i BDO, asnjë kandidat nuk i kishte përmbushur kriteret për këtë pozitë.
Mbi 30 agjenci të pavarura ekzekutive me ushtrues detyre
Nga 40 agjenci të pavarura ekzekutive dhe rregullatorë, mbi 30 prej tyre drejtohen më ushtrues detyre.
Sekretariati i Këshillit të Sigurisë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, pastaj Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Agjencia e Statistikave të Kosovës, Agjencia për Mbrojte nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore. Ndërsa, Agjencia për Barazi gjinore është e vetmja që Drejtori Ekzekutiv është më mandat të plotë.
Edhe
Qeveria zotohet ta ulë numrin e pozitave me ushtrues detyre
Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfere, katër nga pesë agjencitë e pavarura janë më zëvendës. Njësia e Inteligjencës Financiare, për të cilën ishin zhvilluar procedura në maj të këtij viti, edhe pse projekti i përkrahur nga britanikët kishte publikuar listën me kandidatët që i plotësojnë kriteret, procedura ishte ndërprerë me vendim të Ministrisë.
Me ushtrues detyre janë edhe pozitat e drejtorëve në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, Agjencinë e Punësimit dhe Administratën Tatimore të Kosovës. Nuk dihet nëse ka ndonjë procedurë për mbulimin e këtyre pozitave.
Ndërsa, drejtor me mandat të plotë ka vetëm Dogana e Kosovës, kjo është bërë e ditur në hulumtimin “Qeverisja më ushtrues detyre”, në emisionin “Betimi për Drejtësi”.
Më mirë nuk qëndron as Ministria e Punëve të Brendshme, ku prej gjashtë agjencive, katër agjenci janë me ushtrues detyre, përfshi Akademinë e Kosovës, Agjencinë e Shoqërisë së Informcacionit, Agjencinë për Regjistrim Civil, Institutin e Kosovës për Administratë Publike, si dhe Agjencinë për Menaxhim Emergjent. Drejtori i kësaj të fundit, ishte përballur me shkarkim në korrik të këtij viti, por që ky vendim ishte anuluar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil, duke rikthyer në pozitë drejtorin e shkarkuar.
E vetmja agjenci që ka drejtuesin me mandat të potë është ajo e Forenzikës.
Ministria e Drejtësisë mban rekordin e pozitave me ushtrues detyre pasi të gjitha Agjencitë dhe rregullatorët në kuadër të saj udhëhiqen me zëvendësues përfshi Shërbimin Korrektues të Kosovës, Avokaturën Shtetërore, Shërbimin Sprovues, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Agjencinë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Funksionimi i pothuajse gjithë administratës shtetërore me kaq shumë ushtrues detyre, paraqet një praktikë të keqe të ekzekutivit, e cila po vlerësohet si paaftësi e pushtetit për të menaxhuar, dhe si tendencë për të kapur këto pozita. Kështu së paku shprehen deputetë të opozitës.
Përtej, këtyre vlerësimeve, problem po shihet edhe mënyra se si kjo çështje ka mbetur pa u rregulluar si duhet në Ligjin për Zyrtarët Publik. Afatet për qëndrimin e zyrtarëve si ushtrues detyre në këto pozita të larta nuk përcaktohet në asnjë nen në mënyrë decizive.
Zyrtarët e Qeverisë nuk janë përgjigjur se si rregullohet kjo çështje dhe se në çfarë dispozita mbështeten kur për një kohë të gjatë, vazhdojnë të mbajnë në pozita të larta zyrtarë që ushtrojnë detyra. Sipas burimeve të “Betimit për Drejtësi” brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, kjo ministri ka nxjerrë një opinion ligjor për këtë çështje, sipas të cilit, në pozita të larta, zyrtarët nuk mund të qëndrojnë më shumë së një vjet si ushtrues detyre. Sidoqoftë, ky opinion nuk është publikuar asnjëherë deri më tash.
Opozita për numrin e lartë të zyrtarëve më UD: Nuk po arrijnë t’i zgjedhin njerëzit e vet
Arsyeja pse ka kaq numër të lartë të pozitave me ushtrues detyre, sipas opozitarëve, qëndron në atë se pushteti nuk po arrin t’i zgjedhë ende njerëzit e vet.
Mergim Lushtaku, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në emisionin “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se po shihet qartë tendenca e partisë në pushtet për të sjellë njerëzit e vet.
“Ne me ligj e kemi të qartë që vetëm 60 ditë lejohet me qenë zëvendësues, i mjafton menaxhmentit edhe politikës që të ketë një procedurë ligjore për rekrutim. Po shihet qartë që me siguri këta nuk i kanë njerëzit adekuatë që i plotësojnë kriteret e tyre dhe t’i emërojnë dhe të kemi pastaj emërime politike”, u shpreh ai. “Po shihet qartë që nuk ka rezultat tjetër, pasi largimi, zëvendësimi, denigrimi, linçimi i Qeverise Kurti është ndonjëherë haptazi. Besoj që në këtë aspekt është problemi kryesor, ata nuk i kanë njerëzit që i plotësojnë kriteret për t’i zënë këto vende kyçe dhe ata po mundohen t’ia zgjasin mandatin atyre zëvendësueseve deri sa t’i plotësojnë ato kritere dhe kjo si pasojë e sjell administratën në një performancë të keqe që ndikon drejtpërdrejtë tek qytetaret dhe bizneset sepse janë pozita kyçe për të pasur një përformancë dhe një shërbim më të mirë tek qytetarët”.
Se mund të ketë një prapavijë politike me gjithë këto pozita të larta drejtuese, e thotë edhe deputetja nga radhët e Lëvizjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, duke aluduar në dështim të qëllimshëm të proceseve.
“Po tani në qoftë se dëshmohen proceset ku personat meritorë edhe në komisione e edhe përmes komisioneve të tyre, do të thotë ka pasur raste ju e dini për shembull procesin e dështimit të zgjedhjes së organit shqyrtues të prokurimit, ku një komision i caktuar nga ana e Qeverisë e ka bë përzgjedhjen e kandidatëve dhe kur kanë ardhur ata kandidatë është dështuar procesi. Pra kur kanë ardhur tek pika finale e zgjedhjes së tyre. Tani e vetmja mund të jetë kjo arsyeja”, u shpreh ajo duke theksuar se shqetësuese është edhe numri shumë i vogël i aplikuesve në pozita të larta, duke thënë se gjithmonë ka pasur më shumë interesim.
“Unë konsideroj që mund të ketë një prapavijë. Është keqmenaxhim i proceseve të tilla, por kjo u kushton institucioneve dhe u kushton qytetarëve sepse ata i paguajnë dhe përballen me konsekuencat e mosekzekutimit të politikave dhe projekteve të ndryshme që mund t’i kenë këto institucione”, ka thënë tutje Bajrami.
Edhe
“Qeverisja e mirë” përmes pozitave me ushtrues detyre
Se mund të ketë tendenca për të vendosur njerëzit e vet në këto pozita ka thënë edhe drejtoresha ekzekutive nga Lëvizja FOL, Mexhide Demolli-Nimani.
“Tendenca e secilës qeveri me të marrë pushtetin ka qenë që në pozitat kyçe të kenë njerëzit e vet. Nuk ka pas ndonjë dallim në të kaluarën e fatkeqësisht nuk po shihet që do bëjë diferencën as kjo qeveri e tanishme, do të thotë në të njëjtin avaz po shkon sikurse qeveritë e kaluara, që personat e tyre, personat qoftë edhe militantët t’i quaj ashtu apo anëtarësinë e tyre t’i vendosin në pozita të larta drejtuese”, është shprehur ajo.