BETIMI PËR DREJTËSI

“Qeverisja e mirë” përmes pozitave me ushtrues detyre

Asnjë qeveri më parë nuk ka pasur kaq shumë pozita me ushtrues detyre

Qeveria aktuale Kurti 2, vazhdon të mbajë pozita të larta të zyrtarëve publikë me ushtrues detyre për vite me radhe.  Nga opozita thonë se asnjëherë nuk ka pasur qeveri me kaq shumë ushtrues detyre.

Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se si ministre ka pasur rastit që në periudha të caktuara të kenë ushtrues detyre por kjo ka ndodhur vetëm deri në rekurutimin e stafit.

“Dhe ka ndodhur shpesh që një konkurs të dështoj dhe mandej do të thotë është dashur që të përsëritet konkursi, për asnjëherë këto pozitat nuk kanë qenë me 4 vjet me ushtrues detyre”, ka thënë ajo.

Besnik Tahiri, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se në asnjë Qeveri, tri institucionet kryesore nuk kanë qenë me ushtrues të detyrës, në Kuvend, Presidencë, dhe Qeveri.

“ As një Qeveri nuk është mendu që me ligj të legalizoj jetëgjatësinë edhe  kohëzgjatjen kaq të madhe. Kjo Qeveri e ka bërë këtë me bindje edhe me qëllim që do të ditojë prapë dhe pastaj përmes këtij ligji do ta kap shtetin me letra, me ligj dhe kjo logjikë duhet të përfundojë për shkak se kjo logjikë bën dëme afatgjate”, është shprehur ai.

Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se Qeveria ka pasur tentativa të vazhdueshme për shkatërrim dhe politizim të administratës.

“Kjo vërehet fillimisht nga tendencat për miratimin e disa ligjeve kundër kushtetuese saç janë Ligjit për KPMShCK dhe Ligjit për Zyrtarët Publik dhe shkarkimin e anëtarëve të  KPMSHCK. Ushtruesi i detyrës sipas praktikes emërohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme siç janë dorëheqja e zyrtarit qe mban pozitën, dështon procesi e arsye tjera”, ka thënë ai.

Kolshi ka shtuar se në të gjitha rastet institucionet duhet të  sigurohen paraprakisht qe pozita mos me mbet me ushtrues detyre.

“Është evidente se një gjë e tille mund të ndodhë në situata të caktuara, por shpesh herë këto raste krijojnë dyshimet për qasje të tille të qëllimshme ku UD nuk e gëzojnë mbrojtjen e njëjtë nga shkarkimi. Ata mund të emërohen dhe shkarkohen kurdo. Kështu, rrjedhimisht krijohet perceptimi se këto pozita vijnë në shprehje për kontrolle te politikes mbi vendime të ndryshme që lidhen me institucionin i cili udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës”.

Duke parë numrin kaq të madh të pozitave me ushtrues detyre, ndihmës-auditorja e përgjithshme në ZKA, Emine Fazliu, thotë se është planifikuar që në të ardhmen te ketë auditim te veçantë për mbulimin e pozitave me ushtrues detyre.

“Mbulimi i pozitave me ushtrues detyre edhe pse e dijmë, jemi të vetëdijshëm që është e përhapur në shumë institucione. Zyra Kombëtare e Auditimit ka planifiku që në të ardhmen me kry një auditimit të veçantë sa i përket mbulimit të pozitave kyçe me ushtrues detyre”, ka thënë ajo.

Institucionet në të gjitha rastet duhet të sigurohen që pozitat mos të mbahen me ushtrues detyre. Mbajtja kaq gjatë e pozitave të larta të zyrtarëve publik me u.d krijon përshtypjen që është e qëllimshme dhe këto pozita bëhen cak i politikës.

Në anën tjetër, siguria e këtyre zyrtareve të cilët emërohen dhe shkarkohen më një e-mail tregon se politika mund të këtë ndikim në proceset vendimmarrëse duke e ulur transparencën dhe llogaridhënien.


Sipas opozitës, ushtruesit e detyrës në institucione mund të shkarkohen në çdo kohë dhe nuk mbajnë përgjegjësi

Emine Fazliu, ndihmës-auditore e Përgjithshme thotë se për mbulimin e pozitave me ushtrues detyre bëhet një proces i brendshëm, ku duhet të plotësohen kriteret bazike për pozitën, teksa thotë se këto pozita nuk ndikojnë në procesin e mosfunksionimit apo llogaridhënies.

“Mbajtja e pozitave me ushtrues detyre përtej afatit ligjor, përveç që është e jashtëligjshme, po flas gjithmonë në bazë ta raporteve të auditimit, në bazë të dëshmive që kemi prej auditimeve nuk kemi identifiku se mbajtja e pozitave të tyre përtej afatit ligjor ka ndiku në mosfunksionimin e zingjirit llogaridhënës. Do të thotë pozitat me ushtrues detyre apo mbajtja e pozitave të tyre nuk ka ndiku që një proces mos të funksionoj, për neve ka qenë ajo kryesore, vlerësohet ajo se nëse mbajtja e atyre pozitave a ka qenë e efektshme apo jo”, ka thënë ajo.

Por, ndryshe thonë në opozitë.

Sipas Hykmete Bajramit, një person që ka pozitën e ushtruesit të detyrës asnjëherë nuk merr vendime, si dikush që ka pozitë të rregullt me kontratë.

Hykmete Bajrami,  deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se ushtruesi i detyrës është një person të cilin Ministri dhe stafi politik mund ta shkarkojë brenda ditës.

“Në pjesën mat madhe, këta nuk marrin përgjegjësi, nuk dojnë me nënshkru vendime të cilat më pas mund të kenë konsekuenca, nuk dojnë me qenë përgjegjës për punën që nesër ka me e vazhdu dikush tjetër. Ta zëmë për shembull në rastin e sekretarëve permanent, kur ti ke të bësh me zbatimin e investimeve kapitale, mjafton me e pa sot performancën në shpenzime të buxhetit për investime kapitale dhe mundesh me e pa që këta njerëz kanë qenë thjeshtë, domethënë hezitues në marrjen e obligimeve për një punë që potencialisht nesër do të vjen në atë pozitë dikush tjetër dhe do ta kryej”, është shprehur ajo,

Blerta Deliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se edhe raportet kredibile të cilat monitorojnë këto institucione flasin për nivel të rënies së funksionalitetit të këtyre institucioneve kur ato funksionojnë me ushtrues.

“Sepse vendimet të cilat merren e thashë, shpesh janë peng i mos respektimit të ligjit, pastaj llogaridhënia, transparenca dhe gjitha këtu edhe besueshmëria në institucionet të cilat janë me ushtrues është e nivelit absolutisht jo të duhur. Prandaj kjo flet e para për mungesë të kredibilitetit të institucioneve qeverisëse, por edhe për mungesë të kredibilitetit dhe besimit ndaj këtyre institucioneve të larta shtetërore”, ka thënë Deliu.

Tahiri i AAK-së thotë se të gjitha ndryshimet në administratë dhe kontratat një burimore vinë nga logjika e mbajtjes se pozitave me ushtrues detyre.

“Të e para, te kontratat, ju e dini që ekzistojnë me mijëra kontrata një burimore të cilat vijnë prej kësaj kulture, prej kësaj logjike, prej këtij presioni në vlerë me mbi 270 milion euro. Të gjitha ndryshimet që kanë ndodhë në administratën e shtetit me ushtrues detyre ka ndodhë me bekimin dhe udhëzimin, me urdhërimin e politikës pastaj të zbatuar prej njerëzve që janë ushtrues detyre. Dhe e fundit, që është tepër e rëndësishme janë punësimet, nepotizmi në këtë qeveri është legalizu, është bë normë, pra është normë që për me pas një pozicion të lartë duhesh me qanë i afërt me Vetëvendosjen, ose në familje, ose në partin”, ka thënë Tahiri.

Tahiri shton se vendimet e jashtëligjshme të marra nga ushtruesit e detyrës që iu ka kaluar mandati janë bërë normë.

“Ka një numër të madh të këtyre vendimeve, e të cilat tani më janë bo normë, të cilat nuk janë më veç logjikë, nuk janë më veç mendësi politike, por janë normë”, ka shtuar tutje ai.

Për këtë temë, Betimi për Dejtësi ka kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria të na ofroj një intervistë, por nuk kanë pranuar. Betimi për Drejtësi, ka tentuar të marr disa nga deputet të na flas për këtë teme, por as ata nuk kanë qenë të gatshëm për arsye të ndryshme.


Opozita konsideron se qeverisja e dobët është arsyeja pse pozitat mbahen me ushtrues detyre

Në Ligjin për Zyrtarët Publik, thuhet se zyrtarët publik nuk mund të caktohen si ushtrues detyre më gjatë se gjashtë muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë 6 mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë 6 muaj të tjerë. Çdo vendim i marrë nga ushtruesit e detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar, është i paligjshëm.

Qeveria aktuale ka mbajtur pozitat e larta më ushtrues detyre për vite me radhe.

Blerta Deliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se pozitat me ushtrues detyre ka qenë lloji i mënyrës se si Vetëvendosja e ka parë qeverisjen.

“Në shumicë e rasteve cilat i kemi evidentuar, ka pasur shkelje të ligjit, sepse nuk është respektuar afati kohor të cilin e parasheh ligji, por ka pasur tejkalim, madje edhe marrje të vendimeve, pa qenë në kuadër të asaj që e parasheh e ligji dhe natyrisht vendimet e atyre cilat janë ushtrues detyre, pastaj mund të kontestohen në institucionet përgjegjëse, sepse ligji e thotë saktësisht afatin kohor se sa një zyrtar i lart ose zyrtar i ministrisë, qeveritar duhet të mbaj pozitën e ushtruesit të detyrës”, ka thënë Deliu.

Hykmete Bajrami deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thotë se numri i larte i pozitave me ushtrues detyre është njëra nder arsyet pse sipas saj ka qeverisje te dobët.

“Institucionet e Republikës së Kosovës të nivelit qendror si dhe ato të pavarura që zgjedhën me shumicë të thjeshtë të votave në Kuvend në pjesën më të madhë të mandatit i kemi parë në tri situata: i kemi pa si institucione të kapur komplet nga militantët partiak të Lëvizjes Vetëvendosje, i kemi pa si institucione vakante, jo funksionale dhe gjithashtu kemi pa, kemi një numër të madh të institucioneve të tjera dhe pozitave të larta, të cilat tashmë qe disa vite janë me ushtrues detyre dhe kjo konsideroj që është shqetësuese edhe mendoj që nuk është ndoshta shkaku i vetëm, po mund të them që është një nga shkaqet që ne kemi një performancë shumë të dobët të të gjitha institucioneve të nivelit qendror”, ka thënë Bajrami.

Për këtë çështje Besnik Tahiri, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se personat që do të duhej të udhëhiqnin profesionalisht administratën e shtetit, janë në dorën e politikës.

“ Fenomeni i ushtruesve të detyrës në administratën e shtetit në këtë qeveri dhe në këtë shumicë na ka përcjellë gjatë gjithë kohës. E para që vlen në theksohet është që të tri institucionet për një kohë gjatë mbi një vjet e gjysmë Presidenca, Kryeministria dhe Kuvendi janë udhëhequr me ushtrues të detyrës. Pastaj sipas raporteve që kanë ardhë nga akterë të shoqërisë civile mirëpo edhe nga bashkësia ndërkombëtare një numër i madh i Ministrive, prej tyre tetë kanë qenë të udhëhequra me ushtrues detyre si dhe shumë Agjenci ekzekutive. Çka nënkupton në praktikë një ushtrues detyre? Ushtruesi i detyrës vendosët me një e-mail dhe po ashtu mbas një ore, mbas një dite mund të shkarkohet me një e-mail pa kurrfarë përgjegjësie dhe llogaridhënie juridike”, është shprehur Tahiri.


Rotacioni i ushtruesve të detyrës nuk e legjitimon procesin, thotë ndihmës-auditorja

Në shumë institucione të vendit, pozitat e lartë të zyrtarëve publik mbaheshin apo vazhdojnë të mbahen për vite me rrallë më ushtrues detyre.

Këto institucione auditohen çdo vit nga Zyra Kombëtare e Auditimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Emine Fazliut, ndihmës-auditore e Përgjithshme ka shumë raste kur mbulimi i pozitave kyçe në institucionet e pavarura bëhet me ushtrues detyre.

“Institucionet e pavarura ku kemi identifikuar që mbulimi i pozitave kyçe mbahen me ushtrues detyre përtej afatit ligjor është Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ku pozita e udhëheqësit ekzekutiv mbahet prej shtatorit të 2021-ës, pastaj Komisioni i Pavarur për Media, ku pozita e kryeshefit ekzekutiv mbahet nga korriku i vitit 2021 me ushtrues detyre”.

“Kemi Akademia e Drejtësisë, pozita e drejtorit për Administratë dhe Financa mbahet prej vitit 2017, kemi Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ku kemi identifikuar katër raste se pozitat e rregullta mbahen me ushtrues detyre përtej afatit ligjor. Po ashtu, kemi edhe Zyrën e Presidentit, ku kemi identifikuar 16 raste, ku pozitat e rregullta mbahen me ushtrues detyre përtej afatit ligjor”, ka shtuar ajo.

Ndihmës-auditorja e Përgjithshme, tregoi edhe për mbulimin e pozitave me ushtrues detyre në Ministri, ku siç tha shumica prej tyre pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm e kanë me ushtrues detyre.

“Vlen të përmendet se niveli qendror, niveli lokal mbulimi i pozitave kyçe të nivelit lokal bazohet në Ligjin e Vetëqeverisjes Lokale, ku pozitat kyçe drejtuese të caktohen drejtpërsëdrejti nga kryetari i Komunës në vendime. Ndërsa, në bazë të mostrave tjera nuk kemi identifikuar ndonjë parregullsi sa i përket mbulimit të pozitave me ushtrues detyre. Njëjtë e kemi edhe te Ministrisë, është e ditur që një numër i madh i Ministrive vazhdojnë që pozitën e Sekretarit ta mbulojnë me ushtrues detyre, por në bazë të mostrimit kemi parë se ato bëhen me rotacion dhe nuk është identifiku ndonjë parregullsi”, ka thënë ajo.

Fakti që Ministritë ndërrojnë ushtruesit e detyrës, kjo nuk legjitimon procesin e mbajtës se këtyre pozitave me u.d.

“Jo, jo. Vetë fakti që është me ushtrues detyre, në raste të caktuara mundet me ndiku personi, që personi i cili e kryen, e mban atë pozitë me ushtrues detyre mund të mos ketë përvojën e mjaftueshme për atë pozitë. Të jemi të qartë për mbulimin e pozitave me ushtrues detyre është një proces i brendshëm, do të thotë zgjedhet një staf që ka njohuri për organizatën buxhetore, por gjithmonë i njëjti duhet t’i plotësojë kriteret”, është shprehur ajo.


Në disa ministri u emëruan Sekretarët e Përgjithshëm pas disa viteve që mbaheshin me u.d

Pozita e Sekretarit të Përgjithshëm në shumicën e Ministrive ushtrohej me ushtrues detyre. Por, se fundmi disa ministri kanë zgjidhur Sekretarin e Përgjithshëm.

Ministria e Zhvillimit Rajonal, këtë pozitë me u.d e kishte që nga shtatori i 2020-ës,

Më 1 tetor 2021, kishte zgjedhur kandidatin fitues, por ai nuk është emëruar deri në tetor 2024.

“Betimi për Drejtësi”, ka pyetur në Ministrinë e Punëve të Brendshme se cila është arsyeja se pse kandidati fitues nuk ishte emëruar deri këtë vit, por nuk ka pranuar përgjigje.

Ministria e Mbrojtjes, pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm më ushtrues detyre e ka pasur që nga qershori i vitit 2019. Në këtë pozitë  sipas një përgjigje me shkrim nga kjo Ministri nga 2019 e deri më tani, në periudha të ndryshme kohore janë emëruar gjashtë ushtrues detyre/zëvendësues.

Për plotësimin e  kësaj pozite ishin shpallur pesë konkurse prej të cilave katër kishin dështuar dhe pas konkursit të fundit në këtë pozitë më 11 shtator 2024 u emërua Gafurr Dugolli, vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Enver Dugolli.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Sekretarin e Përgjithshëm e ka emëruar më 13 qershor 2024.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në gusht 2024 ka emëruar Jeton Qelen si sekretar.

Edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal në tetor 2024, emëroi Sekretarin e Përgjithshëm, pozitë të cilën e kishte me u.d që nga viti 2020.

Këtë pozitë me u.d e ka edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Ministria e Ekonomisë të cilën thotë se këtë pozitë e ka të mbuluar me një transfer dhe sipas përgjigjes së tyre ka të hapur konkursin për këtë pozitë.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, sekretarin e përgjithshëm e ka me pozitë të rregullt. Ndërsa, Inspektorati i Arsimit udhëhiqet nga ushtrues detyre.

Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, aktualisht sekretar i përgjithshëm është Bislim Bislimi. Që nga gushti i 2023 deri në mesin e nëntorit të vitit 2024 kjo pozitë ushtrohej me ud.


Pesë ministri mbajnë pozitat kryesore me ushtrues detyre

Një ndër Ministritë me të rëndësishme është ajo e Financave. Pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, në këtë dikaster është me ushtrues detyre.

Në kuadër të saj, 4 nga 7 agjencitë funksionojnë më ushtrues detyre.

Agjencitë e kësaj ministrie prekin direkt mirëqenien e qytetarëve. Siç është Thesari i shtetit.

Çdo vendim që merret nga ushtruesi i detyrës pasi i ka kaluar mandati është i kundërligjshëm. Kështu, në tetor të vitit 2024, zyrtarët publik nuk morën pagat me kohë, pasi ushtruesit të detyrës i kishte skaduar kontrata si u.d.

Ekzekutimi i pagave u bë pasi Ministri i Financave, caktoi dikë tjetër për të ushtruar këtë pozitë.

Për afër 3 vjet e gjysme, pa drejtor është edhe Njësia për Inteligjencë Financiare. Kjo njësi e cila është mandatuar në parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit vazhdon të mbahet më ushtrues detyre.

“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar të dijë nga ky organ se pse nuk ka publikuar raportet vjetore, por nuk ka marrë përgjigje.

Me ushtrues detyre është edhe Administrata Tatimore e Kosovës dhe Agjencia Qendrore e Prokurimit.

Ndërsa, vetëm Dogana e Kosovës, Inspektorati i Punës dhe Agjencia e Punësimit kanë të zgjedhur drejtorët.

“Betimi për Drejtësi”, ka tentuar në vazhdimësi të marrë një përgjigje nga ky dikaster lidhur me këtë çështje, por të njëjtit nuk u përgjigjën.

Ministria e Punëve të Brendshme, pa udhëheqës e ka Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, Agjencinë për Regjistrim Civil, Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Agjencinë e Shoqërisë së informacionit dhe Agjencinë për Siguri Kibernetike. Për këtë të fundit është duke u zhvilluar konkursi dhe ende nuk është finalizuar.MPB, pa drejtor ekzekutiv e kishte edhe Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, por që në shtator të 2024 ka zgjedhur drejtorin e ri. Ndërsa drejtorët me mandat të plotë e ka Policia dhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke filluar nga Sekretari i Përgjithshëm të cilën e ka me ushtrues detyre. Po ashtu, ka edhe të gjitha Agjencitë me ushtrues detyre.

Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve Kosovare-ARBK, Agjencinë për Inves time dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Inspektoratin e Tregut, Agjencinë Kosovare të Standardizimit, Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, Agjencinë për Pronësi Industriale dhe Drejtorinë e Akreditimit e Kosovës.

Edhe kjo Ministri ka refuzuar t’iu përgjigjet pyetjeve të dërguara në vazhdimësi për këtë temë.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që nga 2021 Agjencinë e Pyjeve të Kosovës e ka pa drejtor ekzekutiv.

Ndërsa, drejtorin për Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë e ka zgjedhur në dhjetor 2024, kurse atë për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e ka zgjedhur në shtator 2024.

Ministria e Shëndetësisë, pa drejtor ekzekutiv e ka Inspektoratin Shëndetësor që nga 2019.

“Konkursi është publikuar, por është anuluar me vendim të KPMShC në vitin 2022, në bazë të një ankese. Jemi në pritje të përgjigjes nga DMZP, lidhur me opinionin ligjor, të cilin e kemi adresuar me date 22.08.2024”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Me ushtrues detyre, Ministria e Shëndetësisë e ka edhe Agjencinë e Kosovës për produkte dhe Pajisje medicinale.


5 nga 7 agjencitë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë me ushtrues detyre

Në kuadër të Ministrisë se Drejtësisë, pesë nga shtatë agjencitë e pavarura janë me ushtrues detyre.

Avokatura Shtetërore, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, Instituti për Mjekësinë Ligjore, Inspektorati për Mbikëqyrjen e Punës së Institucioneve Korrektuese dhe Drejtorive Rajonale Sprovuese, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Vetëm Shërbimi Korrektues dhe Shërbimi Sprovues i Kosovës kanë drejtorët me mandat të plotë.

Në një përgjigje më shkrim për “Betimi për Drejtësi”, Ministria e Drejtësisë, ka treguar se pozita e Kryeinspektorit në Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë ushtrohet me zëvendësues nga  tetori i 2022.

Për Drejtor te Përgjithshëm ne Institutin e Mjekësisë Ligjore  thotë se kanë hapur konkursin në shtator 2022 dhe komisioni ka zgjedhur kandidatin fitues, por nuk bëhet e ditur pse ky kandidat nuk është emëruar.

Pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar ushtrohet  me u.d që nga prilli i 2021.

Ndërsa, Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas është me Ushtrues Detyre që nga dhjetori i 2022.

Kurse, ka treguar se Pozita e Avokatit të Përgjithshëm në Avokaturën Shtetërore ushtrohet me Zëvendësues nga fundi i shtatorit 2024.


Cilat agjenci në kuadër të Zyrës se Kryeministrit  po mbahen me ushtrues detyre?

Në një lojë të heshtur pushteti, pozitat e larta drejtuese në Qeveri dhe agjenci tjera të pavarura ekzekutive mbahen me ushtrues detyre. Mungesa e mbrojtjes së plotë ligjore të këtyre personave, të cilët emërohen e shkarkohen me një njoftim të thjeshtë, paraqet potencial për shndërrimin e tyre në vegla politike.

Drejtimi i institucioneve kyçe me ushtrues detyre, përgjatë viteve është parë si strategji e pushtetit për kontroll apo mundësi për t’i vendosur njerëzit e tyre në këto pozita.  Në Ligjin për Zyrtarët Publik, thuhet se zyrtarët publik nuk mund të caktohen si ushtrues detyre më gjatë se gjashtë muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë 6 mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë 6 muaj të tjerë. Çdo vendim i marrë nga ushtruesit e detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar, është i paligjshëm.

Qeveria aktuale ka mbajtur pozitat e larta më ushtrues detyre për vite me radhe. Madje, këtë është munduar ta legjitimoj me ligjin e ri për zyrtarët publik, duke e bërë këtë afat deri në 2 vite , por që ky ligj aktualisht është në Gjykatën Kushtetuese.

Zyra e kryeministrit,  pozitën me të lartë të lartë, atë të Sekretarit të Përgjithshëm që nga 2021 e deri në fund të 2024 e ka mbajtur me zëvendësues. Arben Krasniqi, që ushtronte këtë pozitë, u emërua në nëntor si Sekretar i Përgjithshëm.

Për këtë pozitë, siç kanë thënë nga Zyra e Kryeministrit në një përgjigje me shkrim konkursi ishte shpallur dy herë në 2021.

Në kuadër të Zyrës se Kryeministrit më ushtrues detyre po mbahet Agjencia për Barazi Gjinore, Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore, Agjencia e Statistikave të Kosovës,  Sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm.

Nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se për disa Agjenci është shpallur konkursi e për disa janë në përgatitje.