Që nga janari e deri më tani, në Departamentin për Mbrojtje të Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë dorëzuar 55 ankesa nga ana e qytetarëve për mashtrim nga blerjet online.
Nijazi Shala, drejtor i Departamentit për Mbrojtje të Konsumatorit në emisionin “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se nga këto ankesa 30 prej tyre janë zgjidhur në favor të konsumatorëve.
Ai potencon se viteve të fundit është rritur numri i ankesave të qytetarëve për mashtrim me blerjet online.
“Trendi është në rritje, ka filluar diku në vitin 2018, 2019, 2020 ankesat veçse vijnë e bëhen më serioze. Në vitin 2021 veçse kemi pasur 122, në vitin 2020 kemi pasur 93, në vitin 2019 kemi pasur 22 ankesa. Pak a shumë trendi është i ngjashëm me vendet e BE-së”, ka thënë ai.
Ankesat më të shpeshta që pranojnë nga qytetarët, Shala tha se kanë të bëjnë me moskonformitet të produktit të reklamuar me atë që e pranojnë.
Sipas tij, qytetarët ankesat e tyre i adresojnë përmes thirrjeve telefonike apo raportimit në ueb faqen e Departamentit, ku më pastaj adresohen të njëjtat.
Ndonëse tha se shumica e ankesave zgjidhen në favor të konsumatorëve, Shala tregoi se nuk kanë të dhëna për gjobat që u shqiptohen atyre që mashtrojnë qytetarët.