Biseda e plotë: Polici i dëmtuar kërkon favor nga i akuzuari Egzon Azemi i VV-së që t’ia ndërrojë njësitin policor
Më 3 shtator 2024, Egzon Azemi i Lëvizjes Vetëvendosje doli në gjyq i akuzuar për sulm ndaj policëve të Kosovës.
Ky sulm, gjithherë sipas Prokurorisë, kishte ndodhur në vitin 2015, kur Lëvizja Vetëvendosje po protestonte kundër demarkacionit me Malin e Zi dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Egzon Azemi, bashkë me Kushtrim Avdimetajn, Veron Hasanin, Luan Hotin, Ardian Hulin dhe Naim Bunjakun, akuzohen se gjatë protestës kishin sulmuar policët e Kosovës, duke i goditur me gurë, pllaka betoni dhe mjete tjera të forta.
Si pasojë e kësaj, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore, ku të dëmtuar kishin mbetur Ismail Sadiku, Ekrem Vllasa dhe Naim Berisha.
Ky i fundit, si palë e dëmtuar, po përballej me Egzon Azemin, që sipas Prokurorisë, e kishte sulmuar para gati 9 vjetëve.
Armiqësia e tyre në rrugë para gati 9 vjetëve, tash që Vetëvendosja është në pushtet, është shndërruar në bashkëpunim në mes Egzon Azemit dhe Naim Berishës.
Në seancën gjyqësore të 3 shtatorit 2024 ndaj Egzon Azemit dhe të tjerëve, për shkak të sqarimit të një rrethane, gjyqtari Eroll Gashi, vendosi për një pauzë dhjetëminutëshe.
Gjatë kësaj pauze i akuzuari Azemi dhe i dëmtuari polici Berisha, shkuan në korridorin e gjykatës për të zhvilluar një bisedë private.
Derisa gazetarët dhe kamerat po qëndronin në sallën e gjyqit duke pritur të vazhdojë seanca gjyqësore, në korridorin e gjykatës, polici Naim Berisha ia kërkoi një favor Egzon Azemit të Vetëvendosjes.
Egzon Azemi për bisedën me policin: Ai kërkon njëfarë forme këshillë prej meje ku me u drejtu
Polici Naim Berisha që në gjykatë po vjen si i dëmtuar kërkoi një favor nga Egzon Azemi i Vetëvendosjes që është palë e akuzuar në rastin e policit.
Pasi këta të dy dolën në gjykatën në korridor për të biseduar diçka privatisht, kamera e Betimit për Drejtësi arriti ta incizojë bisedën e tyre.
Për ta marrë përgjigjen e kësaj pyetje, Betimi për Drejtësi kërkoi prononcim nga Azemi.
Azemi u kontaktua përmes emailit dhe rrjeteve sociale, por këto komunikime nuk rezultuan me aranzhim të një interviste.
Një muaj pas seancës gjyqësore, ekipi i Betimit për Drejtësi përcolli me kamerë ngjarjen ku ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, mori pjesë në përurimin e Klinikës së re të Ortopedisë.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe Egzon Azemi.
Gazetari: Momentalisht ne e kemi një video ku ju bisedoni diçka me një polic, policin Naim, nuk e di nëse po e njihni, Naim Berisha. Desha me ju pyet, çfarë keni biseduar me të? Ai është palë gjithashtu e përfshirë në proces, është palë e dëmtuar.
Gazetari: Ne e kemi pa në aktakuzë se ai person është i dëmtuar edhe e dimë që bisedon diçka prej juve, me ia ndërruar pozitën në polici edhe ideja ka qenë me ju pyet, a mundeni me na tregu se cila është kompetenca juaj? Ju jeni shef i kabinetit në Ministri të Shëndetësisë. Qysh lidhet kjo me policinë?
Azemi: Jo, kjo është veç që kërkon informacion. Është njëjtë si me thanë “ku me u referu?”. Ai krejt çka lyp është mos me më çu në veri se i kam bërë do vjet “anej-knej”, a mundesh me fol me dikë?
Egzon Azemi: Për besë i thash nuk e di, po mundem me fol dhe me u interesu.
Gazetari: Ju ia lypni numrin e ID-së dhe i thoni ku jeni për momentin?
Egzon Azemi: Numri i ID-së është si emri dhe mbiemri për policët.
Gazetari: Po, pse ia keni lyp numrin e ID-së dhe e keni pyetur se ku është ai momentalisht me njësit? Se ai tregon ku është momentalisht dhe kërkon me çu diku tjetër, me bo qit transferimin. Pse duhet me bo përmes juve?
Egzon Azemi: Ai nuk lyp me u ngrit në pozitë, ai lyp me u ul në pozitë. S’e di a e ke kuptu? Ai ka pozitë ma të naltë ku është, sesa ku don me shku. Kështu që është seni më i thjeshtë i mundëshëm, nuk po lyp me u avancu, po lyp me u kthy në diçka që edhe paguhet më pak.
Gazetari: E pse e kërkon prej juve? Ju jeni shef i kabinetit në Ministrinë e Shëndetësisë, nuk jeni në…
Egzon Azemi: Ai kërkon njëfarë forme këshillë prej meje ku me u drejtu ose qysh me bo këtë kërkesë.
Gazetari: Është palë në proces, është i dëmtuar dhe ju akuzoheni…
Egzon Azemi: Jo bre se… ai ka deklarime… Tjetër është që s’u mbajt seanca, kjo është problemi më i madh edhe për neve. Jo veç ai, pyeti të tretë. Tash kontaktoj të tretë. Merri dhe thuaju “A e njihni? A ju ka sulmuar? Ose a keni pasur ndonjëherë ndonjë deklaratë se qiky, qoftë në stacion policor, se ne të arrestuar jemi kanë. Këta psh. nëse ne i kemi sulmuar, këta të nesërmen kanë mundur me thanë “qiky dhe qiky më kanë sulmu”. Por, as për mua as për Luanin… thotë se asnjëri prej këtyre nuk më kanë sulmuar”.
Kabashi kërkon nga Inspektoratit Policor dhe Prokuroria të hetojnë kërkesën e paligjshme të policit drejtuar të akuzuarit
Hulumtuesi i IKD-së, Flamur Kabashi, ka thënë se biseda në mes policit Berisha dhe Egzon Azemit të VV-së është e paprecedent.
Sipas Kabashit, ky raport në mes të akuzuarit Azemi dhe të dëmtuarit Berisha e cenon kredibilitetin e viktimës dhe tërë integritetin e procesit gjyqësor.
“Është e paprecedent që një zyrtar policor i cili është viktimë e një vepre penale në një proces gjyqësor të ketë raporte kaq të afërta personale me personin e akuzuar, duke i kërkuar favore të kundërligjshme. Padyshim se ky raport personal e cenon ndjeshëm kredibilitetin e viktimës dhe dëshmitarit në procedurë gjyqësore dhe me këtë edhe e cenon ndjeshëm integritetin e tërë procesit gjyqësor”, u shpreh Kabashi.
Gjithashtu, Kabashi bëri të ditur se me këtë çështje duhet të merret Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit.
“Shpresojmë se menaxhmenti kompetent brenda policisë dhe IPK-së do ta trajtojnë këtë rast në mënyrë profesionale, sikurse duam të besojmë se edhe prokurori i rastit ta trajtojë këtë rast si ndërhyrje në administrimin e drejtësisë”, shtoi Kabashi.
Rasti i Azemit të VV-së dhe policit Berisha rrezikon parashkrimin, gjykata nuk jep sqarime
Përveç faktit që aktakuza ndaj Egzon Azemit të VV-së është ngritur para gati 9 vjetëve, ky rast rrezikohet të mbetet i pazgjidhur për shkak të afatit të parashkrimit. Për këto çështje, “Betimi për Drejtësi” ka pyetur gjykatën, por s’ka arritur të marrë përgjigje.
Pas një periudhe kohore të përcaktuar ne Kodin Penal, lëndët gjyqësore konsiderohen të vjetruara apo parashkruhen. Në rastin konkret, sipas Kodit Penal qe ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, periudha e parashkrimit absolut në këtë rast është dhjetë vjet. Kjo do të thotë pas kalimit të kësaj periudhe, nga koha e kryerjes sa veprës penale, akuza refuzohet dhe të pandehurit nuk mund të gjykohen.
Meqë vepra penale për të cilën akuzohen Azemi dhe të tjerët kishte ndodhur në nëntor të vitit 2015, ky rast ka edhe rreth një vit kohë për tu trajtuar. Nëse nuk zgjidhet me aktgjykim përfundimtar deri në nëntor të vitit 2025, atëherë do të ketë një vendim gjyqësor, me të cilin do të konstatohet se lënda ka arritur afatin e parashkrimit.
Prokuroria e kishte ngritur aktakuzën më 16 dhjetor 2015, 28 ditë pas veprave penale të kryera, për të cilat akuzohen Azemi dhe të tjerët.
Deri më tani është mbajtur vetëm seanca fillestare e këtij rasti më 18 shtator për të akuzuarit Egzon Azemi, Luan Hoti dhe Naim Bunjaku.
Rrjedhimisht, gjykatës i janë dashur 8 vjet, 9 muaj e 3 ditë për ta përgatitur nisjen e këtij gjykimi ndaj tyre.
Ndërsa për të akuzuarit Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasni dhe Ardian Huli procesi gjyqësor është veçuar dhe po zhvillohet ndaras.
Për seancat e tjera, se sa janë caktuar, sa kanë dështuar, cilat kanë qenë arsyet e dështimit, cilat kanë qenë veprimet e gjyqtarit pas dështimit të tyre dhe kur është veçuar lënda ndaj tre të akuzuarve, Betimi për Drejtësi ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Por, deri tash nuk ka marrë përgjigje.
Polici Berisha zihet në rrenë nga “Betimi për Drejtësi”, thotë se s’ka kërkuar favor nga Egzon Azemi i VV-së
Gjatë hulumtimit të publikuar nga “Betimi për Drejtësi” lidhur me favorin që polici i dëmtuar Naim Berisha kërkon nga i akuzuari i VV-së, Egzon Azemi, është kontaktuar edhe polici Berisha.
Më 3 tetor, rreth 20 minuta pasi mori në prononcim Egzon Azemit, Betimi për Drejtësi mori në telefon policin Naim Berisha.
Polici Naim Berisha: Urdhno?
Gazetari: Allo përshëndetje i nderuar.
Polici: Edhe juve.
Gazetari: Jam Festimi, po ju thirri prej Betimit për Drejtësi.
Polici: Po?
Gazetari: Desha me ju pyet diçka shkurt.
Polici: Hajde, kush ta dha numrin ma së pari?
Gazetari: E kemi aktakuzën e rastit të juaj që jeni palë e dëmtuar, e keni parasysh? Me Egzon Azemin.
Polici: Që ishit atë ditë në gjykim. Po?
Gazetari: Po, e desha me ju pyet, e kemi një video ku i kërkoni Egzon Azemit me ua ndërru njësitin, me ju trnsferu diku tjetër. Desha veç me ju pyet, pse e keni pyet Egzonin?
Polici: Jo s’po të kuptoj absolut. S’po di çka po thua, as s’kam bërë kurrfarë incizimi as s’di sen unë.
Gazetari: A keni kërku prej Egzon Azemit me ua ndryshu njësitin policor, a keni kërku me bo një transfer?
Polici: Jo more çfarë.
Gazetari: S’është e vërtetë a?
Polici: Jo, pse kush të tha ty?
Gazetari: Ne e kemi një video ku ju i kërkoni Egzon Azemit me ua ndryshu njësitin…
Polici: Jo more, kumeditë një keqkuptim se jo.
Gazetari: E a keni parasysh që dmth. Egzon Azemi është i akuzuar e ju jeni palë e dëmtuar…
Egzon Azemi: Polici kërkoi të ulet në pozitë, jam i gatshëm të paraqitem para drejtësisë
Pasi episodi i emisionit “Betimi për Drejtësi” u përfundua dhe promo u publikua të enjten më 10 tetor ku dëgjohej kërkesa e policit drejt zyrtarit të Vetëvendosjes , pavarësisht shumë kërkesave të heshtura Egzon Azemi u lajmërua për t’u intervistuar.
Gjatë intervistës, Azemi u përsërit duke thënë se kërkesa e policit qenë të degradohet, por nëse ka “ushtrim të ndikimit” është i gatshëm të paraqitet para drejtësisë.
“Edhe siç e përmend ai vetë në intervistë (bisedë), ai thotë unë më pak paguhem, nëse shkon qatje ku ka kërku. Ai kërkon me shku polic i thjeshtë e është një ndër njësitet kryesore”, shprehet Egzon Azemi.
“Absolutisht nuk besoj se ka konflikt (interesi). Thelbin mos e harroni. Pra nuk kërkon ngritje, për arsye familjare kërkon të ulet në pozitë…”, ka thënë Azemi.
“Nëse unë e kisha kontaktuar, ku je tash, a po e ndërron pozitën me avancu? Prapë po e them ai kërkon me u ul në pozitë, e nëse kjo është ushtrim i ndikimit… sinqerisht qenka rast unik. Unë do të jem i hapur edhe nëse është shkelja më e vogël jam i gatshëm të paraqitem para organeve të drejtësisë”, shtoi Azemi.