Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
BETIMI PËR DREJTËSI

KPK-ja s’ka guxim të përballet me dështimet, vlerësojnë nga shoqëria civile dhe gazetarët

Mungesa e konferencave publike dhe intervistave për media nga krerët e sistemit prokurorial nga gazetarët dhe shoqëria civile po përkthehet si mungesë e rezultateve në punë nga ky këshill dhe frikë për t’u përballur me këto dështime në publik.

Lavdim Makshana, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se është e pakuptimtë sjellja e kryesuesit Jetish Maloku dhe anëtarëve të KPK-së që fshihen nga gazetarët dhe shoqëria civile që monitoron sistemin prokurorial, duke mos lejuar që të jenë fizikisht në takimet e Këshillit Prokurorial me arsyetimin e masave COVID-19.

“Për gati dy vjet të mandatit të tij ka mbajtur vetëm një konferencë përmbyllëse të vitit ku është paraqitur para gazetarëve. Madje as në këtë konferencë kryesuesi i KPK-së nuk u është përgjigjur mjaftueshëm pyetjeve tona. Kjo flet shumë për atë se nuk ka rezultate të punës dhe nuk ka guxim të përballet me realitetin në publik”, ka thënë Makshana.

Ai ka shtuar se arsyetimi për masat anti-COVID apo i hapësirës tash e një kohë janë arsyetime banale.

Mungesën e mbledhjeve me prezencë fizike për gazetarët e quan absurde dhe ironike edhe gazetarja e KOHA, Saranda Ramaj, dukë thënë se tashmë as institucionet shëndetësore nuk kanë masa të tilla.

“Ironia e krejt kësaj është, unë e përcjelli edhe shëndetësinë edhe e di qasjen e institucioneve të të gjitha institucioneve publike ndaj pandemisë, nuk është pothuajse asnjë masë në fuqi përveç prokurorisë së shtetit dhe sistemit prokurorial të Kosovës të cilët e kufizojnë e kufizojnë qasjen e gazetarëve me kinse rrezikun nga pandemia. Po ata kanë rrezik dhe frikë nga transparenca dhe problemi i tyre nuk lidhet fare me pandeminë”, u shpreh Ramaj.

Ramaj ka shtuar se kjo qasje e Këshillit dhe në përgjithësi e sistemit prokuroial është më qëllimin për t’iu shmangur pyetjeve të gazetarëve e që lidhen me dështimet e tyre.

Edhe KPK-ja e mbyllur për mediat, informacionet larg syve të publikut BETIMI PËR DREJTËSI KPK-ja e mbyllur për mediat, informacionet larg syve të publikut

“Këtë vit e jo vetëm këtë vit, Prokuroria e Shtetit, e sidomos Këshilli Prokurorial, ka qenë në qendër të kritikave shpesh herë me të drejtë për shkak të qëndrimeve amnistuese ndaj degradueseve dhe ndaj njerëzve që abuzojnë pushtetin që janë brenda sistemit. Atëherë mendoj që mënyra më e mirë që ata të mos dalin kurrë në media edhe që të mbyllin mundësinë e vetme të gazetarëve që t’i takojnë këta persona drejtpërdrejtë”, ka thënë ajo.

Në të njëjtën linje ishte edhe drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, e cila ka thënë se po shihet një mbyllje totale dhe mostransparencë e Këshillit.

“Ata e kanë parë si mënyrën më të lehtë për t’u shmangur nga gazetarët edhe nga monitoruesit e shoqërisë civile të cilët kanë interes të përcjellin këto mbledhje direkt në institucionin se ku mbahen. Në të kundërtën një dërgim i një linkut në këtë rast dhe përcjellja në mënyrë online është shumë ma e lehtë për ta, sepse qasja qoftë e gazetarit dhe e monitoruesit është e pamundur, që t’i drejtohet me pyetje qoftë kryesuesit apo edhe anëtarëve tjerë të këtij Këshilli”, ka theksuar ajo./BetimipërDrejtësi