Arbëri

Planifikohet proces i mbyllur intervistimi për kandidatët për anëtarë të KPM-së

KPM

Pa praninë e mediave dhe me poentim të mbyllur Komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës do të zhvillojë të mërkurën intervistimin e kandidatëve për tri pozita të lira për anëtarë të Komisionit të Pavarur të Medias.

Në shoqërinë civile thanë se këto veprime e bëjnë jotransparent procesin.

Drejtoresha ekzekutive e lëvizjes FOL, Mexhide Demolli, thotë se deputetët në këto procese duhet të ndjekin praktikat e mira e jo t’ia fshehin publikut procesin e vlerësimit.

“Në mbledhjen e kaluar ka pasur kritika nga deputetët karshi shoqërisë civile dhe gazetarëve se ata nuk ndiejnë kurrfarë obligimi që të jenë transparentë ndaj shoqërisë civile dhe t’i arsyetojnë pikët e tyre. Unë vetëm dua t’ua rikujtoj se ata duhet të jenë transparentë ndaj publikut dhe duke qenë ndaj neve dhe ndaj juve, ata janë transparent sepse ne i përcjellim këto informata te publiku”, tha Demolli.

E drejtoresha e AMPEK-ut, Ardita Zejnullahu, thekson rëndësinë që në këto pozita të jenë njerëz të zgjedhur me meritokraci, njohës e profesionistë të mirë të fushës së medias.

“Momenti në të cilën ndodhet d.m.th. çështja e rregullimit të mediave audiovizuale në Kosovë me Ligjin për Komisionin e Pavarur në amendamentim dhe me nevojën për transpozimin e direktivës për shërbime mediale audiovizuale në kuadër të këtij ligji konsideroj se anëtarët që duhet të përzgjidhen në KPM duhet të jenë njerëz në radhë të parë me integritet të lartë, profesionistë dhe njerëz të fushës, për arsye se vendime të cilat duhet të merren në këto periudha ngërthejnë disa prej momenteve kyc të fushës së rregullimit të medias, siç është p.sh. çështja e rregullimit dhe koncentrimit të pronësisë së mediave”, tha Zejnullahu.

Kritikat për mostransparencë i ka kundërshtuar kryesuesi i Komisionit ad-hoc, Nijazi Isaku, e i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë që procesi edhe të hapet.

“Unë sërish do të insistoj si kryesues që Komisioni të vendosë që të jetë i hapur poentimi. Ka qenë një arsyetim – disa deputetë kanë thënë që “po na keqpërdoret votimi ynë. Nuk po merren me çka kemi votuar, por me votat tona në media”, tha Isaku.

E, Demolli dhe Zejnullahu thonë se nëse procesi do të mbyllet për publikun vihet në pikëpyetje mbarëvajtja e tij dhe lihet mundësia për favorizimin e kandidatëve.

“Kur vjen puna te shtyrja përpara të një apo ndonjë tjetri kandidat, atëherë aty mandej një gjë e tillë nuk ndodh vetëm nga deputetët e pozitës, por kemi edhe deputetë të opozitës që i favorizojnë kandidatë të caktuar”, tha Demolli.

“Poentimi i mbyllur lë pastaj mëdyshje se çka po ndodh d.m.th. si po poentohen kandidatët e caktuar. Unë nuk dua të spekuloj, por absolutisht të gjithë deputetët duhet t’i vlerësojnë kandidatët në mënyrë meritore në bazë të performancës në intervistë dhe gjithmonë duke u bazuar në përvojën e tyre”, tha Zejnullahu.

Në mungesë të votave, në qershor Kuvendi ka dështuar ta zgjedhë një anëtar të Komisionit të Pavarur të Medias.