Prova e vetme për prokurorin Isuf Sadiku për dhënie dhe marrje ryshfeti nuk ishte video-incizimi i publikuar nga “Betimi për Drejtësi”.
Nga ekzaminimet e telefonit të Pulajt ishin siguruar edhe bisedat në mes Pulajt me ish të akuzuarin Osmani.
Sipas bisedës së parë mes tyre në rrjetin e komunikimit Whatsapp, Osmani ia konfirmon Pulajt se shumën e parave prej 10 mijë euro Biraj e ka pranuar, derisa pjesën e tjetër do ta pranojë pasi të mbyllet rasti.
“I cili e njofton se ka qenë në seancë dhe është caktuar tjetra seancë më 31, i thotë se 10 i ka marr tash le të pret kur të kryhet krejt i merr tjerat”, thuhet në përshkrimin e bërë nga ekzaminimi i bisedës.
Për të verifikuar nëse me datë 31 ka pasur seancë, “Betimi për Drejtësi” ka analizuar në procesverbalet e seancave në rastin e 130 kg marihuanë që akuzoheshin: Naim Osmani, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu.
Në procesverbalin e datës 16 mars 2023, që ishte dhënë mbrojtja e të akuzuarve Sadrijaj dhe Salihu ishte caktuar edhe seanca e radhës e që mban datë 31 mars 2023, për t’u dhënë fjala përfundimtare.
Pra, biseda konsiston në atë se i akuzuari Osmani kishte qenë në komunikim të vazhdueshëm me “ndërmjetësuesin” Pulaj edhe para se të përfundonte procesi gjyqësor, duke e mbështetur kështu edhe video-incizimin e publikuar nga “Betimi për Drejtësi”.
Në bisedën e dytë të zhvilluar, Pulaj e njofton ish të akuzuarin Osmani se tashmë Biraj ka vendosur të tërhiqet nga aktakuza.
Për më tepër, Pulaj sikur një prokuror i njofton se pas dështimit të rastit, ata kanë të drejtën e dëmshpërblimit për kohën e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
“Është një bisedë me personin Naim Osmani e që e lidhet me Prokurorin Metush Biraj, ku personi Shkodran Pulaj e njofton se “kjo punë ka marr vesh, ia ka treguar shënimet, prokurori at dit e hudh posht dhe pastaj keni të drejt me marr dëmshpërblim që keni nejt mrena secili ka 5000 euro …. vazhdon biseda”, thuhet në raportin ekzaminues të telefonit.
Si rrjedhojë, ish-prokurori Biraj edhe ishte tërhequr nga aktakuza më 31 mars 2023.
Kjo seancë kishte filluar në ora 9 e 30 dhe kishte mbaruar në 9 e 50, pra për 20 minuta.
Në përgjigjen e dhënë për “Betimi për Drejtësi”, Biraj nuk e kishte pranuar marrjen e ryshfetit, duke u arsyetuar në mungesë provash, të cilat vetë fillimisht i quante të pakontestueshme.
“Gazetarja: Pse e përmend ai që i keni marrë këto pare prej tij, pikërisht për me i liru prej paraburgimit?
Ish-prokurori Biraj: Paj, spe di une se ai, ai e din qysh i ka përmend ato fjalë.
Gazetarja: E pse ja pranoni ju atij që keni tentu me i zbeh provat dhe realisht ju thoni që i keni zbeh maksimalisht provat për me i dënu tre të akuzuarit.
Ish-prokurori Biraj: Ky rast që po thoni ju nuk ka të bëjë me këtë rast fare.
Gazetarja: Me cilin rast ka të bëjë.
Ish-prokurori Biraj: Është një rast tjetër, nuk kemi çka me komentu ma tepër.
Gazetarja: Me cilin rast ka të bëjë?
Ish-prokurori Biraj: S’ka të bëjë me këtë rastin e Gjakovës.
Gazetarja: E qysh ju i keni zbeh provat në një rast tjetër a?
Ish-prokurori Biraj: Jo, s’kemi zbehë bo vaki ai kontesti i fjalisë qysh oshtë se.
Gazetarja: Ju thoni se nuk ka që qysh me i dënu gjykatësja Teuta, për shkak se i keni zbeh maksimalisht provat.
Ish-prokurori Biraj: Jo, është fjala bo vaki është kontekti i fjalisë a për ndryshe nuk ka këtu të bëjë me zbehje të provave.
Gazetarja: C’konteskt i fjalisë e arsyeton faktin që ju si prokuror i keni zbeh provat?
Prokurori Biraj: Jo, jo është fjala që qysh me thanë jonë zbeh qysh me thanë ëëë, pretendimet e qysh me thanë tash, qysh me formulu që mos me pas keqkuptime. Është fjala mos u kanë bo vaki konteksti i bisedës rreth të kalum kriminale të personave, edhe ashtu unë s’ke pas s’ke pas të kalume kriminale edhe në atë farë kuptimi e kom shpreh unë tani që që zbehje e pretendimeve të mija ndoshta s’ka lidhje.
Gazetarja: Ju thoni që i keni zbeh maksimalisht provat. Puna e juaj si prokuror është me i zbeh provat në dobi të të akuzuarve apo me e vu drejtësinë në vend?
Ish-prokurori Biraj: Ja ja nuk ka mundësi me i zbeh provat, se prova si ka me u zbeh, nëse është prova është provë.
Gazetarja: Na tregoni ju qysh i keni zbeh provat?
Ish-prokurori Biraj: Unë s’di.
Gazetarja: Çka nënkupton për juve zbehja e provave
Ish-prokurori Biraj: Heeeh, kolege, në kuptimin që unë bo vaki aty mos u kanë naj farë s’di që kam zbeh provë”.
Tërheqja e ish-prokurorit Biraj nga aktakuza, u dha mundësinë atyre që përveçse të mos gjykohet nga trupi gjykues, edhe të dëmshpërblehen për kohën e kaluar në paraburgim.
Ashtu edhe siç i kishte këshilluar Pulaj, në bazë të Raportit të Komisionit për Kompensimin e Personave të arrestuar pa arsye ligjore, shihet që tre ish të akuzuarit tashmë kanë parashtruar kërkesat për kompensimin e dëmit.
Sipas përgjigjes së KGjK-së, secilit prej tyre u janë ofruar nga mbi 9 mijë euro dëmshpërblim, me një total prej mbi 27 mijë euro.
“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar informacione dhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të parë nëse të njëjtit i kanë pranuar ofertat për kompensim.
Nga KGjK kanë treguar se deri tani vetëm njëri prej tyre ka pranuar marrëveshjen.
Megjithëse rastin e kishte pranuar më 31 tetor 2023, aktvendimi për fillimin e hetimeve nga prokurori i Themelores në Gjilan, Isuf Sadiku ishte marrë më 5 dhjetor, 3 ditë pas transmetimit të emisionit nga “Betimi për Drejtësi”.
Derisa, intervistimi i të dyshuarve: Metush Biraj, Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani sipas përgjigjes së dhënë më shkrim është bërë më 21 dhe 22 dhjetor 2023.
Por, se çfarë ka deklaruar para prokurorisë, nuk ka dashur të flas ish-prokurori Metush Biraj, i cili është shprehur se është zhgënjyer nga transmetimi i hulumtimit që shpërfaqte provat që ngrisin dyshimet për marrje ryshfeti nga vetë ai, për çka nuk kishte kundër argumente gjatë ballafaqimit.
“Gazetarja: Mirëdita, a je lodh si je avokat? Ndjesë për pengesën të lutëm. Vetëm desha shkurtimisht nëse kishim mujt me e marrë një prononcim prej juve?
Ish-prokurori Biraj: Jo, jo. S’kem, respekt për juve si gazetar.
Gazetarja: A mundem veç një pyetje të lutëm për pjesën nëse jeni intervistu ende a jo.
Ish-prokurori Biraj: Hiç, hiç, më ke zhgënjy. S’kemi çka me bisedu, u kry faleminderit shumë.
Gazetarja: Veç një pyetje.
Ish-prokurori Biraj: Respekt për ju në çdo respekt.
Gazetarja: Një konfirmim nëse jeni intervistuar ose jo.
Ish-prokurori Biraj: Hiç, kërkoj ndjesë”.
Por, për çka mund të jetë zhgënjyer ish- prokurori Biraj?
“Shkodrani Pulaj: Të thash 15 mijë, ja the janë pak.
Prokurori rastit Metush Biraj: Jo more jo, kur të kryhet procedura.
Shkodrani Pulaj: (nuk kuptohet) 20 mijë. Po mirë de.
Prokurori rastit Metush Biraj: Kur të kryhet procedura, jo tash heeej”, thoshte Biraj në video incizimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
“Gazetarja: Aty në dëshmi thuhet që 15 mijë euro janë ofru për me u tërhek prej aktakuzës për me u mbyll si proces për mos me u dënu njerëz?
Ish-prokurori Biraj: Jo, jo jo
Gazetarja: Por ju thoni në fund të procesit, vazhdimisht insistoni në fund të procesit. A i keni pranu këto para?
Ish-prokurori Biraj: Joo, s’vjen në shprehje ajo punë hiç. As nuk guxoj as me mendu me me i pranu.
Gazetarja: E pse thoni në fund të procesit gjatë bisedës që e bëni me Shkodranin?
Ish-prokurori Biraj: E nderuar, na për…
Personi tjetër: Ti e more përgjigjen po thotë jo, shka po insistojsh për diçka që po thotë jo.
Gazetarja: Ju i thoni atij, që në fund të procesit kur ai thotë për ti marrë 15 mijë euro, ju keni kërku 20 mijë, ju thoni vazhdimisht që vetëm në fund të procesit.
Ish-prokurori Biraj: Nuk kam koment sepse krejt çka kam nëse ka nevojë unë i bisedoj aty ku është vendi me juve s’ka çka me bisedu”, thoshte Biraj i pyetur nga “Betimi për Drejtësi”.
Në anën tjetër se çka ka deklaruar Pulaj para prokurorit Sadiku nuk ka treguar as avokati, Miftar Qelaj, i cili ka thënë se Pulaj nuk e ka angazhuar në atë rast.
“Mirëpo, nga krejt ajo çka mundem me thënë për atë rast është se sipas disa informata që kam nga kontakti me të është që ai ka dhënë intervistë për atë rast, mirëpo më tutje nuk mundem me u deklarua këtë çështje”, ka thënë Qelaj.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një përgjigje nga i dyshuari tjetër, Osmani, por nuk ka arritur.