Pas kalimit të fazës së verifikimit, anëtarët e Këshillit Drejtues më 22 mars u bën gati për intervistimin e kandidatëve për rektor: Nurtene Deva, Ejup Fejza, Izet Zeqiri dhe Naser Pajaziti.
Por, vetëm dy orë para fillimit të intervistimit, Fejza u tërhoq nga gara.
Arsyeja e tërheqjes ishte futja e kundër kandidates Deva në listën e kandidatëve për intervistim.
“Në fakt unë nuk e dija në fillim që anëtarët e Këshillit Drejtues që kanë votuar pro kthimit të profesoreshës në intervistim duke e shkelur rregullat e parapara që kërkojnë që Komisioni Profesional të bëjë listën se kush aprovohet dhe e dyta, sinqerisht të ju them unë kam shpresuar që profesoresha do të reflektoj dhe do të tërhiqet nga gara duke e ditur që në mënyrë të jashtëligjshme është duke u intervistuar dhe kam prit që dikush nga anëtarët e Këshillit Drejtues, ata katërshja që e kanë sjellë këtë (Nurtene Deva) për intervistim do të reflektojnë edhe këta dhe do ta kthejnë procesin mbrapa për ta respektuar listën që është dërguar nga Komisioni Profesional të Senatit, ajo nuk ndodhi unë prita derisa profesoresha e dërgoj një email për të gjithë dhe na tha që do të marrë pjesë në intervistim atëherë unë vendosa të mos jem e kësaj liste sepse janë shkelë dy parime bazë”, sqaroi Fejza.
Por, edhe intervistimi i kandidatëve u bë në mënyrë të kundërligjshme.
Në orën 11:20 intervistimi i kandidatëve të cilët ishin ende në garë filloi.
Ligji për Arsimit e Lartë, neni 19, pika 1, në të cilin thuhet se kandidatët të cilët janë në garë duhet të intervistohen nga të gjithë anëtarët e Këshillit.
Megjithatë, prezent ishin vetëm 6 nga 7 anëtarët e Këshillit Drejtues.
“Autoriteti kryesor menaxherial i një universiteti publik është rektori. Rektori i universitetit publik zgjidhet nga Këshilli Drejtues me shumicën absolute të numrit të përgjithshëm të votave, pas një procesi formal të konkursit publik, pas vlerësimit nga një komision profesional dhe pas intervistimit nga i tërë Këshilli Drejtues”, thuhet në Ligjin për Arsimin e Lartë.
Në ditën e intervistimit të kandidatëve, mungoi anëtarja e brendshme e Këshillit Drejtues, Fatbardha Hoxha.
Ajo gjatë intervistës së dhënë për “Betimi për Drejtësi” ka treguar se arsyeja pse nuk ka shkuar në mbledhje ka qenë për shkaqe shëndetësore.
“Në mbledhjen e fundit nuk kam marrë pjesë për shkaqe shëndetësore, për këtë është njoftuar edhe Kryesuesja, paraprakisht. Dhe kjo është arsyeja”
Kështu, Këshilli Drejtues zhvilloi intervistat në përbërje jo të plotë, edhe pse kjo kërkohet me ligj. Pra, Këshilli vendosi ta shkelë ligjin, por jo ta shtyjë intervistimin për një datë tjetër kur janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues.