Zëvendës kryesuesi i Këshillit Drejtues nga radhët e Ministrisë, Avni Islami, ishte në mesin e anëtarëve të këshillit të cilët kanë votuar pro thirrjes së Nurtene Devës në intervistim, por ai pretendon se Deva nuk e ka kuptuar konkursin dhe për këtë arsye e ka dërguar vetëm certifikatën e Policisë dhe jo të gjykatës.
Avni Islami: Pse ajo nuk e ka dërguar certifikatën është për shkak të konkursit që është i paqartë tek pika ku po ju referoheni…
Gazetarja: A keni diskutuar me zonjën Deva ku ka thënë se konkursi ka qenë i paqartë?
Avni Islami: Ne nuk kemi kontaktuar me zonjën Deva…
Gazetarja: Pse po mendoni që për të ka qenë e paqartë?
Avni Islami: Pse ky është mendim i imi, për shkak se ajo e ka sjellë një dokument
Gazetarja: Por, ju nuk mundeni me pas mendim për dikë se si e ka kuptuar konkursin. Nuk po më duket e qartë kjo pjesë.
Avni Islami: Unë besoj që është mendim autonom i secilit me mendu. Unë kështu mendoj.
Lidhur me këtë deklaratë të anëtarit të Këshillit Drejtues, hulumtuesi i IKD-së, Flamur Kabashi, thotë se Këshilli Drejtues është dashur ta qartësojë tërë procesin e konkursit në mënyrë që të mos shkelen rregullat e këtij konkursi.
“Është për keqardhje kjo që e dëgjojmë. Nëse konkursi ka pasur paqartësi, Këshilli Drejtues është dashur të sigurohet ta qartësoj tërë procesin dhe jo t’ia mundësojë znj. Deva të zgjidhet përmes një konkursi të paqartë dhe me plotë shkelje, dhe kjo është absurde”,thotë Kabashi.
Ndryshimin e listës së kandidatëve e sheh të kundërligjshëm edhe Izet Zeqiri, i cili ka qenë kandidatë për rektor.
“Konsideroj prapë si ndërhyrje që është e jashtëligjshme, ose e konsideroj që mund të jetë edhe vepër penale sipas juristëve, ndryshimi ose plotësimi i listës me kandidatët të cilët një herë komisioni ka konsideru që nuk i plotësojnë kriteret. Pra njerëz të cilët nuk i plotësojnë kriteret e konkursit nuk mund të futen në garë përsëri”, u shpreh ai.
