Basketboll

Trepça fiton në “Minatori”, i afrohet titullit

Trepca

Trepça është një fitore larg titullit të kampionit të Kosovës në basketboll. Trepça tani udhëheq 3:1 në serinë finale të plejofit ndaj Bashkimit.

Fitoren e tretë mitrovicasit e arritën të mërkurën mbrëma në “Minatorin” e stërmbushur me shikues. Trepça e fitoi me rezultat 80:74 ndeshjen dramatike dhe të hapur deri në aksionin e fundit.

25 sekonda para fundit, kur rezultati ishte 76:74 për mitrovicasit, Junior Madut e bllokoi një gjuajtje të Wendell Green Jr. Madut u faulua në anën tjetër të fushës dhe realizoi dy gjuajtje të lira për 78:74 dhe kështu sfida thuajse u vendos.

Ndeshja e pestë luhet të dielën në Prizren. Trepça në rast të fitores do të shpallej kampione. Bashkimit tani i duhen edhe tri fitore për ta siguruar titullin.

Ndeshja e së mërkurës në Mitrovicë ishte plot me episode interesante. Çereku i parë përfundoi 33:26 për “xehetarët”. Skuadra e Adis Beqiragiqit në çerekun e dytë i realizoi vetëm dy pikë, ndërsa Bashkimi plot 18. Dhe kështu pas 20 minutave rezultati ishte 44:35 në të mirë të prizrenasve. 

Në fillim të çerekut të tretë Bashkimi u shkëput edhe në 15 pikë, 52:37. Por më pas Trepça realizoi seri të jashtëzakonshme prej 19:0, që në fund doli vendimtare. Në minutën e 23-të rezultat ishte 52:37 për Bashkimin, ndërsa në minutën e 28-të, Trepça ishte në avantazh 56:52. 

Çereku i tretë përfundoi 63:60 për Trepçën, që mbajti epërsi gjatë gjithë çerekut të katërt për fitore të madhe.

Qendra Michael Myers ishte më i miri te Trepça me 21 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime. Michael Green i realizoi 16 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime, ndërsa Drilon Hajrizi i kishte shtatë pikë, gjashtë kërcime e katër asistime. 

Bashkimit nuk i mjaftuan 35 pikët e Wendell Greenit, që mungoi në ndeshjen e kaluar për shkak të gripit. Ai i shtoi edhe tri kërcime. Mack Smith e mbylli ndeshjen me 17 pikë, 12 kërcime e tri asistime.

Por mungoi kontributi i të tjerëve. Njëri prej lojtarëve më të mirë të Bashkimit, Jayveous McKinnis i kishte vetëm katër pikë e tri kërcime.

Trepça po kërkon ta mbrojë titullin dhe ta fitojë të gjashtin në histori. Bashkimi e ka vetëm një titull, në vitin 2018.


Vetëm dy pikë të Trepçës në çerekun e dytë, Bashkimi në epërsi

Bashkimi është në epërsi 44:35 ndaj Trepçës pas pjesës së parë të ndeshjes në “Minatorin” e stërmbushur.

Është kjo ndeshja e katërt e serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Mitrovicasit e nisën mirë ndeshjen dhe çerekun e parë e fituan 33:26.

Por prizrenasit u përgjigjën edhe më fuqishëm në çerekun e dytë. Lejuan lojtarët vendas të shënojnë vetëm dy pikë për 10 minuta lojë. Kjo shihet rrallë në basketboll e sidomos në finale të plejofit.

Çerekun e dytë Bashkimi e fitoi 18:2. Bashkimi luajti ndeshje të shkëlqyer dhe ka përparësi bindëse tashmë.

Rezultati në serinë finale të plejofit është 2:1 në të mirë të Trepçës.

Mack Smith po shkëlqen te Bashkimi me 12 pikë, tetë kërcime e tri asistime.