Peja ka pësuar tjetër humbje në Superligën e Kosovës në basketboll.
Të dielën mbrëma në Gjakovë, skuadra pejane u mposht nga Vëllaznimi me rezultatin 94:85.
Ishte kjo ndeshja e fundit e xhiros së 14-të të elitës kosovare të basketbollit.
Dallimi u bë në çerekun e tretë, të cilin Vëllaznimi e fitoi me rezultatin 28:15. Në çerekun e katërt gjakovarët e mbajtën epërsinë, me gjithë përpjekjet e Pejës për të barazuar rezultatin. Në fund dallimi ishte nëntë pikë.
Andrew Gordon ishte më i miri te Vëllaznimi me 16 pikë e tetë kërcime. Yor Anei i kishte 14 pikë e shtatë kërcime. Jericole Hellemes i shtoi 21 pikë, ndërsa 19 pikë i realizoi Derrick Wilson.
Pejës i mungoi kapiteni Dardan Berisha. Cesare Edwards ishte më i miri me 18 pikë e nëntë kërcime.
Tyrone Flatten i kishte 16 pikë. Arti Hajdari po ashtu i kishte 18 pikë, ndërsa Musab Mala realizoi 11 pikë e tetë asistime.
Vëllaznimi tani i ka pesë fitore e nëntë humbje. Peja e pësoi humbjen e gjashtë, ndërsa i ka tetë fitore.