Trepça doli fituese e turneut të Superkupës së Kosovës, që përfundoi të mërkurën mbrëma në Prizren. Në garën për Superkupë morën pjesë të gjitha tetë skuadrat e Superligës.
Trepça, që mposhti Prishtinën në finale të Superkupës, shihet favorite për ta fituar edhe titullin e Kosovës, përkatësisht për ta mbrojtur atë.
Ish-basketbollistët Artan Mehmeti dhe Ismet Ferati vlerësojnë se turneu i Superkupës ishte tregues se klubeve të tjera u duhet punë e madhe për ta rivalizuar Trepçën në garën për titull të kampionit. Trepça e nis kundër Bashkimit mbrojtjen e titullit.
“Edhe pse është ende herët për të nxjerrë një përfundim final, ekipi që me meritë ka triumfuar është Trepça. Mendoj se Trepça çdo vit po përmirësohet në çdo aspekt. Këtë vit përveç bazës së fortë që kanë me trajner dhe lojtarë vendas, edhe lojtarët e huaj ishin shumë cilësorë. Mendoj se edhe këtë vit Trepça është ekipi që do të ketë fjalën kryesore. Kuptohet, nuk duhen përjashtuar as ekipet e tjera, të cilat janë të barabarta dhe pritet që të kemi një kampionat mjaft interesant”, ka thënë Mehmeti.
Në fakt pritet garë interesante, ndërsa Trepça e Prishtina do të jenë prej skuadrave pretenduese për titull. Mehmeti vlerëson edhe cilësinë që tregoi Bora në Superkupë.
“Komplimente edhe për ekipin e Borës, një ekip që tregoi cilësi në ndeshjen e parë. Uroj që të kemi një kampionat interesant, si në fushë ashtu edhe në tribuna, dhe le të fitojë më i miri”, është shprehur Mehmeti.
Skuadrat janë të mbushura me lojtarë të huaj, kryesisht amerikanë, dhe ata pritet ta kenë fjalën gjatë gjithë kampionatit.
Për trajnerin e basketbollit, Ismet Ferati, mitrovicasit do ta kenë fjalën kryesore edhe në kampionat.
“Sa u përket ekipeve mendoj që Trepça ka vazhduar aty ku e ka lënë sezonin e kaluar, një ekip i organizuar shumë mirë, me trajnerin më të mirë të momentit në Kosovë, edhe pa Drilon Hajrizin momentalisht pa konkurrencë në Kosovë”, ka thënë Ferati.
Edhe Ferati thotë se Bora tregoi nivel të lartë.
“Befasi për të mirë është ekipi i Borës. Mendoj se do të jetë surprizë e këndshme e kampionatit, ndërsa u vërejt se ekipet e tjera nuk janë në formën më të mirë. Kanë filluar vonë me përgatitje. Nëse duan ta rivalizojnë Trepçën, duhet goxha punë për të bërë. Mendoj se Trepça është sërish favorite për titull”, ka shtuar Ferati.
Ai ngre shqetësimet për hapësirën e vogël që kanë lojtarët vendorë.
“Kam pritur më shumë kualitet te basketbollistët. Ndoshta që është fillimi dhe ekipet ende nuk janë kompletuar dhe komponuar, por ajo që kemi parë, mungon kualiteti i pritur. Ajo që është më tepër shqetësuese është roli i lojtarëve vendës në ekipe, e që këtë vit do të kenë rol dytësor, sidomos lojtarët e rinj që shumë herë themi se janë e ardhmja e basketbollit”, ka thënë Ferati.
Basketbollisti i Trepçës, Larry Thomas, thotë se pas triumfit në Superkupë, synimi është titulli. Ai shton se ekipin e Trepçës e vë në presion epiteti i favoritit.
“Do të thosha se kjo mund të shikohet kështu nga të tjerët në komunitetin e basketbollit, por për mua, e ndiej se kemi grup të mirë të lojtarëve dhe jemi duke punuar që të bëjmë hapa para. Dhe nëse vazhdojmë ta bëjmë këtë, atëherë ne do të marrim atë që e meritojmë”, ka thënë Thomas.
Garë të fortë për titull parasheh edhe kapiteni i Pejës, Arti Hajdari.
“Superkupa tregoi se edhe sivjet do të jetë një edicion i mirë. Është ende herët të vij në shprehje puna e madhe që po bëhet në ekipe. Mirëpo, na pret një sezon i gjatë dhe një punë të madhe deri në fund të edicionit. Për titull mund të them se thuajse të gjitha skuadrat janë të kompletuara me lojtar mjaft kualitativë. Besoj që deri në fund nuk do të dihet se cilat ekipe do të jenë favorite”, ka thënë Hajdari.