Përfaqësuesja U18 e Kosovës në basketboll ka pësuar tjetër humbje të thellë në Kampionatin Evropian të Divizionit B.
Kosova U18 të shtunën në Pitesti të Rumanisë u mposht thellë nga Estonia me rezultatin 95:61.
Në dhjetë minutat e para të ndeshjes, Estonia i realizoi 22 pikë, ndërsa Kosova 19 pikë. Çereku i dytë u fitua bindshëm nga Estonia, 32:17. Ndërsa edhe çereku i tretë u dominua nga Estonia duke e fituar 26:10. Çereku i fundit ishte i barabartë 15:15.
Më i dalluari te Kosova ishte Besim Bytyqi i cili i realizoi 18 pikë. I kishte edhe pesë kërcime dhe pesë asistime. Drin Mehmed Tafilaj kishte 15 pikë e shtatë kërcime.
Hendrik Pertel u veçua te Estonia me 15 pikë, 12 kërcime dhe dy asistime.
Kosova U18 të premten e luajti ndeshjen e parë ku humbi nga Hungaria me rezultatin 91:66. Kosova është në Grupin C. Të dielën, Kosova U18 takohet me Zvicrën. Më pas takohet edhe me Çekinë dhe Finlandën. Pas ndeshjet në fazën grupore janë ato për plasman përfundimtar.