Basketboll

Tjetër humbje e Kosovës U18 në Evropianin e Divizionit B

Kosova U-18 basketboll

Përfaqësuesja U18 e Kosovës në basketboll ka pësuar tjetër humbje në Kampionatin Evropian të Divizionit B që po mbahet në Rumani.

Të martën, basketbollistët e rinj të Kosovës pësuan nga Çekia me rezultatin 85:69.

Çekët e bënë dallimin që në çerekun e parë të cilin e fituan 27:21. Periudha e dytë përfundoi 16:16 dhe kështu dallimi prej gjashtë pikëve u ruajt për pjesën e dytë të ndeshjes. 

Dallimi u rrit në çerekun e tretë që përfuindoi 23:16 për Çekinë, e po ashtu në të katërtin, që përfundoi 19:16.

Besim Bytyqi sërish ishte më i miri te Kosova U18 me 24 pikë, gjashtë asistime e tri kërcime. Drin Tafilaj e përfundoi ndeshjen me 14 pikë e plot 17 kërcime. Por që nuk mjaftuan.

Edin Baçevac i kishte 13 pikë, ndërsa Mal Tusuni i realizoi 10 pikë e 13 kërcime.

Kosova U18 ka humbur edhe nga Hungaria, 91:66, nga Estonia, 95:61, dhe nga Zvicra, 81:77. Ndeshjen e fundit në grup e ka të mërkurën nga ora 14:30, ndaj Finlandës.