Basketboll

Thirrje antishqiptare në Kumanovë, reagon Federata e Basketbollit të Maqedonisë së Veriut

Maqedonia e Veriut - Rumania

Federata e Basketbollit e Maqedonisë së Veriut ka dal me reagim pasi në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, pati slogane e thirrje antishqiptare nga tifozët vendas. 

“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket. Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, thërrisnin një pjesë e tifozëve në tribunë.

Pati edhe thirrje "vdekje shqiptarëve". 

Të pranishëm ishin personalitete të larta shtetërore, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrin e Punëve të Jashtme Panço Toshkovski dhe zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq.

Federata e Maqedonisë së Veriut tha se distancohet dhe dënon “sjelljet e pahijshme të një pjese të vogël të tifozëve në ndeshjen Maqedoni – Rumani”. 

“Udhëheqja e Federatës së Basketbollit të Maqedonisë distancohet dhe dënon sjelljen e papërshtatshme dhe nacionaliste të një numri të vogël tifozës në ndeshjen Maqedoni – Rumani, të luajtur më 2 gusht në Kumanovë. Veprime të tilla nuk përfaqësojnë frymën, vlerat dhe identitetin e federatës sonë, as nuk pasqyrojnë shumicën e tifozëve tanë, të cilët do të jenë gjithmonë një shembull i kulturës dhe mbështetjes sportive”, thuhet në reagimin e Federatës. “Sloganet nacionaliste, gjuha e urrejtjes dhe nxitja e intolerancës s’kanë vend në tribuna, as në sport në përgjithësi”. 

Federata ka thënë se do të bashkëpunojë me institucionet kompetente për t’i identifikuar personat e përfshirë që ngjarjet e tilla të mos ndodhin në të ardhmen. 

E ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar duke thënë se pret që autoritetet në Maqedoninë e Veriut të reagojnë “qartë, fort dhe me përgjegjësi”. 

“Gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport, as në shoqëri, thotë ai në deklaratën publike për ngjarjen, teksa kërkon reagimin e autoriteteve.

“Thirrjet fyese në Kumanovë janë alarm për të gjithë ne. Bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm, respekt për rregullat e lojës dhe për njëri-tjetrin — jo vetëm në tribuna, por kudo. Po ndjek me vëmendje reagimet institucionale dhe pres që autoritetet më të larta të Maqedonisë së Veriut të flasin qartë, fort dhe me përgjegjësi”, shkruan ambasadori.

Ka reaguar edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali. 

Ajo ka kërkuar reagim edhe më të fortë publik nga zyrtarët më të lartë të Maqedonisë së Veriut. 

“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë. Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit. Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik. Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit. Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje”, ka shkruar Spiropali. 
 

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka dënuar thirrjet. 

"Dënoj ashpër thirrjet raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit, në Kumanovë. Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë. Ato përbëjnë një sulm ndaj bashkëjetesës, dhe barazisë që e bëjnë Maqedoninë e Veriut unike.
Maqedonia e Veriut është shtet i përbashkët për të gjithë: maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllahë, boshnjakë e të tjerë. Të gjithë kontribuojmë për këtë vend. Të gjithë meritojmë respekt. Sporti duhet të na bashkojë, jo të na ndajë. Thirrjet me frymë fashiste, nuk përfaqësojnë askënd prej nesh dhe nuk guxojnë të përsëriten më", ka shkruar Mexhiti në Facebook. 

Maqedonia e Veriut humbi ndeshjen 80:72.