Go+ Peja dhe Golden Eagle Ylli ndeshjen e fundit përgatitore para nisjes së sezonit të ri e luajtën mes vete në fundin e muajit të kaluar. Suharekasit fituan 88:81. Miqësorja u zhvillua në palestrën “13 Qershori”, aty ku do të luhet edhe dueli i parë mes këtyre dy skuadrave për këtë edicion.
Go+ Peja, që sezonin e nisi me fitore të madhe në udhëtim te Trepça, është vendëse, por ndeshjen e luan në Suharekë të dielën nga ora 16:00. Kështu është vendosur pasi palestra në “Karagaçi” është e zënë nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Telashe me palestra për arsye të njëjtë kanë edhe skuadrat e tjera.
Go+ Peja – Golden Eagle Ylli vlerësohet prej dueleve më të forta të xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Dardan Berisha, njëri prej basketbollistëve më të mirë vendorë, vazhdon të paraqitet me sukses te Go+ Peja. Ai është i vetëdijshëm për grupin e krijuar nga Golden Eagle Ylli për këtë sezon dhe ka kërkuar kujdes nga bashkëlojtarët. Berisha për KOHËN ka deklaruar të shtunën se pret ndeshje të vështirë, por synon fitoren.
“Po, jemi gati dhe të gjithë lojtarët janë rikthyer për këtë ndeshje, përveç Shëndrit Llapit. Besoj se do të vazhdojmë me fitore, për atë qëllim edhe do të udhëtojmë”, theksoi Berisha.
Në ndeshjen e parë të sezonit të ri, Berisha ishte më i miri në fitoren e skuadrës së tij ndaj kampiones në fuqi, Trepçës. I realizoi 19 pikë, dy kërcime e dy asistime.
“E dimë që Ylli ka krijuar ekip shumë të fortë. Kemi luajtur edhe ndeshje parasezonale me ta. Po besoj se do të jetë lojë e mirë dhe shpresoj në fitore, edhe pse nuk do të jetë e lehtë”, ka deklaruar Berisha.
Ndërkohë, Golden Eagle Ylli e nisi me humbje edicionin. U mposht 78:76 nga Sigal Prishtina.
Gëzim Morina i Yllit ka thënë se suharekasit janë gati për ndeshjen e se fitorja do të mbetet te “Xhebrailat”.
“Na pret një ndeshje mjaft e rëndësishme kundër Pejës, e cila ka nisur kampionatin mjaftë mirë me një fitore të madhe në Mitrovicë. Ne jemi munduar gjatë këtyre dy javëve të përmirësojmë ca gabime që i kishim në lojën tonë. Mendoj që kemi punuar mirë dhe jemi të gatshëm për ndeshjen. Më përkrahjen e publikut dhe ‘Xhebrailave’ besojmë se fitorja do të mbetet në Suharekë”, ka thënë ai për KOHËN.
Peja në këtë edicion është e angazhuar edhe në Ligën ENBL.
Ndeshjen e parë në debutim e humbi të martën mbrëma. Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë humbi 83:72 nga Riga Zelli.
Të dielën do të luhen edhe dy ndeshje të tjera. Prej dueleve interesante pritet të jetë edhe ai mes Vëllaznimit dhe Trepçës. Vëllaznimi është vendës, por dueli do të luhet në “Minatori” të Mitrovicës, nga ora 19:00.
Nënkampioni Bashkimi i Prizrenit po në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, luan ndaj Rahovecit 029 nga ora 19:00.
Sigal Prishtina luan të hënën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ndaj Borës. Edhe kjo ndeshje nis në orën 19:00.