Basketboll

Shkëlqimi i Turqisë në Eurobasket

Turqia

Turqia vetëm për herë të dytë do të luajë në gjysmëfinale të Eurobasketit. Për herë të parë arriti në këtë fazë në vitin 2001, kur e fitoi medaljen e argjendtë.

Me 23 vjet e 36 ditë, Alperen Shengun është bërë lojtari më i ri që ka realizoi “triple-double” në histori të Kampionatit Evropian të basketbollit. 

Në çerekfinalen ndaj Polonisë, të martën, ylli i basketbollit turk, Shengun, e përfundoi ndeshjen me 19 pikë, 12 kërcime dhe 10 asistime.

Këto janë dy gjërat kryesore momentalisht te përfaqësuesja e Turqisë. Ka plot gjëra të tjera të rëndësishme që japin shpresë te Turqia se mund ta fitojnë Eurobasketin.

Për shembull, realizimi i 11 prej 26 tentimeve për tri pikë në një ndeshje eliminuese. Po ashtu Turqia për herë të parë i kishte shtatë lojtarë që realizuan pikë dyshifrore.

Statistikat tregojnë që lojtarët e Turqisë kanë shënuar 90 apo më shumë pikë në pesë ndeshje këtë verë. Në dhjetë Evropianët e kaluar këtë Turqia e ka arritur po ashtu pesë herë.

Tjetër e dhënë e rëndësishme është që Turqia është përfaqësuesja më e mirë e Eurobasketit sa u takon pasimeve. Në tri ndeshje në Letoni, lojtarët e Turqisë i kanë bërë 25 apo më shumë asistime. Këtë nuk e kanë arritur në 13 paraqitjet e kaluara në Eurobasket.

Gjitha këto kanë rritur besimin te Turqia. 

“Mund të shkojmë deri në fund”, tha Kenan Sipahi për FIBA, pasi Turqia arriti në gjysmëfinale. Sipahi është i lindur në Prishtinë dhe është njëri prej lojtarëve startues të Turqisë. Erxhan Osmani është tjetër lojtar shumë i rëndësishëm i Turqisë.

Në çerekfinale, Turqia fitoi 91:77 ndaj Polonisë.

“Po ndihemi shumë mirë. Po luajmë basketboll të shkëlqyer. Të gjithë ishim të mrekullueshëm ndaj Polonisë. Të gjithë kontribuuam”, ka thënë Cedi Osman.

Ka pyetje nëse kjo është përbërja më e mirë e Turqisë ndonjëherë. Ka mendime se gjenerata e vitit 2001 është më e mira në histori.

“Isha katërvjeçar atëherë. Kjo është arsyeja pse nuk më kujtohet vërtet. Por isha krenar për atë ekip. Për 12 gjigantët”, thotë Furkan Korkmaz.

Ai vlerëson se është koha që gjenerata aktuale të fitojë medaljen e dytë të Turqisë në Eurobasket.

“Ne e quanim këtë gjeneratë të artë, duke thënë ‘po vjen, po vjen, kemi kohë’. Por tani është koha jonë. Me çdo dalje në fushë po e tregojmë këtë. Nuk po i fitojmë vetëm ndeshjet, por po e shijojmë edhe mënyrën se si luajmë basketboll”, ka arsyetuar optimizmin e tij Furkan.

Ndaj Polonisë, Turqia dukej shumë më mirë se ndaj Suedisë në një të tetën e finales. Topi lëvizte, gjuajtjet përfundonin në kosh dhe lojtari i madh ishte i pandalshëm.

“Suedia na dha një paralajmërim. Ne duhej të luanim më të përqendruar dhe e bëmë këtë ndaj Polonisë”, ka theksuar Cedi Osman.

Të gjithë po kontribuojnë te Turqia, por Alperen Shengun mbetet i pakrahasueshëm. 

“Trajneri Ataman po më përdor shumë mirë. Ai më vendos kudo dhe ky jam unë. Unë jam lojtar për ekip. Do të bëj gjithçka për të fituar. Në mbrojtje, në sulm, nuk më intereson. Çfarëdo që më thotë ai, unë do ta bëj”, thekson Shengun.

Ai foli për mediat turke. Më pas për mediat greke, mediat polake e nga vendet e tjera. Pas ndeshjes qëndroi mbi gjysmë ore duke folur për gazetarët.

“Ai është shumë i mençur. E shijon lojën e basketbollit dhe po na ndihmon shumë. Por po e përdorim shumë mirë. Nuk është se vetëm ia japim topin dhe presim që ai të bëj diçka. Kur e gjejmë në këtë mënyrë, ai vërtetë mund të shkojë deri në fund”, ka thënë Kenan Sipahi.

Turqia ka fituar shtatë ndeshjet e deritashme në Eurobasket. Me formatin aktual të Eurobasketit, vetëm Sllovenia ka përfunduar garën me të gjitha fitore. A është Turqia në atë rrugë?

Në gjysmëfinale, Turqia luan ndaj Greqisë, të premten.