Ndeshja mes GO+Pejës dhe Olomuockos e vlefshme për ligën ENBL e cila ishte e paraparë që të luhet sonte nga ora 18:00 nuk do të zhvillohet.
Njoftimin e ka bërë të ditur të martën klubi pejan.
Peja ka thënë se ka qenë i pamundur udhëtimi për në Çeki për shkak të angazhimeve në kampionatin vendor.
“Ndeshja e GO+Peja që ishte e paraparë të luhet sot në kuadër të ENBL përballë Olomuockos në udhëtim në Çeki, nuk do të zhvillohet. Për shkak të orarit shumë të ngjeshur në garat vendore, ka qenë i pamundur udhëtimi në Çeki, pasi skuadra jonë zhvillon ndeshje të enjten dhe të shtunën”, ka shkruar Peja në rrjetet sociale.
Liga ENBL është niveli i pestë i garave evropiane për klube të basketbollit.
Peja në “European North Basketball League” pas katër ndeshjeve të zhvilluara ka një fitore dhe tri disfata. Në ENBL garon edhe Sigal Prishtina.
Peja në Superligën e Kosovës në basketboll e zë vendin e tretë me tetë fitore dhe gjashtë humbje.