Përditësim, 21:04 - Golden Eagle Ylli e ka rënduar edhe më shumë situatën te Sigal Prishtina, pas fitores së arritur të enjten mbrëma në kryeqytet.
Ndeshjen e xhiros së 15-të në elitën e basketbollit kosovar, ku u regjistrua një tjetër incident, suharekasit e fituan 94:82. Ylli ishte vendës, ndonëse ndeshja u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTre minuta para mbylljes së çerekut të parë pati ndërprerje, për shkak se tifogrupi “Plisat” hodhën mjete plasëse në parket dhe më pas u larguan nga palestra.
“Plisat” gjatë qëndrimit dhe largimit nga palestra, kanë fyer kryetarin e ri të zgjedhur të mërkurën, Bekë Berishën, dhe zyrtarët e tjerë të klubit, përfshirë Blerand Stavilecin e Florian Miftarin.
Pas disa minutave ballafaqimi vazhdoi, ndërsa pjesë ne parë e fituan “bardhekaltrit”, 44:43.
Pjesa e dytë u takoi suharekasve. Ata fituan 23:22 dhe 28:16 në çerekun e tretë dhe të katërt, ndërsa iu gëzuan triumfit me 12 pikë epërsi.
Për Golden Eagle Yllin ishte fitorja e tretë rresht, kurse për Sigal Prishtinë, disfata e dytë e njëpasnjëshme.
Antwan Scott pati dyshifror të dyfishtë prej 10 pikëve, 11 asistimeve e tri kërcimeve dhe i kishte statistikat më të mira në fitore, ndërsa kontribut të madh dha edhe Lis Shoshi me 20 pikë, katër kërcime e një asistim.
Deondre Burns u dallua te Sigal Prishtina me 29 pikë, shtatë asistime e gjashtë kërcime.
Golden Eagle Ylli ngjitet në pozitën e shtatë, përkatësisht të parafundit, me gjashtë fitore e nëntë humbje, kurse Sigal Prishtina që ka shtatë fitore, e pësoi humbjen e tetë. Të njëjtat statistika i ka edhe Bora.
Ka vazhduar ndeshja në kryeqytet
Përditësim, 19:17 - Pas ndërprerjes së ballafaqimit për disa minuta, ndeshja ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës ka vazhduar.
Pjesa ku ishin të pranishëm tifogrupi “Plisat” është larguar nga palestra.
Ndërpritet ndeshja në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë
Ndeshja e xhiros së 15-të ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës është ndërprerë tre minuta pa u mbyllur çereku i parë.
Tifogrupi “Plisat” kanë reaguar ashpër pas zgjedhjes së Bekë Berishës si kryetar i ri i klubit. Ata kanë fyer nga tribunat Blerand Stavilecin, Florian Miftarin e Bekë Berishën, ndërsa e kanë kërkuar largimin e këtij të fundit nga posti i kryetarit.
Tre minuta e 12 sekonda pa u mbyllur çereku i parë është hedhur një mjet prioteknik në parket, por nuk shpërtheu. Dhe menjëherë pas këtij momenti, ndeshja është ndërprerë, lojtarët kanë hyrë në dhomat e zhveshjes, ndërsa “Plisat” janë larguar nga palestra.
Deri në momentin e ndërprerjes së ndeshjes, rezultati ishte 17:8 në të mirë të Golden Eagle Yllit.