GO+Peja është bërë me trajner të ri. Kroati Damir Milaçiq është emëruar trajner i Pejës për pjesën e mbetur të edicionit 2025/26 në Superligën e Kosovës në basketboll.
Milaçiq së fundi ishte trajner i skuadrës kroate, KK Alkar. Me KK Alkarin, Milaçiq, bërë histori duke u kualifikuar në finale të Kupës së Kroacisë. Po ashtu e kualifikoi edhe për në garat evropiane.
Milaçiq e zëvendëson Greg Gibsonin që ditë më parë me marrëveshje të dyanshme e mbylli rrugëtimin me Pejën.
“Njoftojmë që klubi ynë, kryetrajner për pjesën e mbetur të sezonit do ta ketë kroatin Damir Milaçiq. Milaçiq përpos karrierës së pasur si basketbollist, nga viti 2012 e ushtron punën si trajner, ku pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në Kroaci, me një eksperiencë po ashtu në Belgjikë. Gjatë sezonit 2024/25, 51-vjeçari ishte emëruar trajneri i vitit në Kroaci. Milaçiq merr drejtimin e skuadrës nga nesër, me eksperiencën e tij që do jetë kyçe për GO+ Pejën në pjesën e mbetur të sezonit”, shkruhet në njoftim.