Ish-ylli i ligës NBA të basketbollit, Jeff Teague, tani 37-vjeçar, ka bërë akuza për doping ndaj legjendës, LeBron James.
Teague në emisionin “Club520”, ka thënë se kur Jamesi ka qenë te Miami Heati, ka përdorur steroide e më pas ka pushuar për një kohë.
Të pranishmit në studio kanë qeshur rreth kësaj akuze, ndërsa Teague e ka përsëritur të njëjtën akuzë.
“Ju kujtohet kur ai nuk luante me pretendimin se ishte i lënduar? Kur NBA nisi testimet për hormonet e rritura, ai qëndroi jashtë parketit, mori pushim afro tri javë. Më pas u kthye paksa më i dobët. Unë isha pjesë e ligës, më kujtohet”, ka deklaruar ish-organizatori i lojës.
Substanca për rritjen e hormoneve është përdorur më parë, ndërsa ajo ka ndihmuar edhe në paraqitjen e sportistëve.
Kjo nuk është hera e parë që Jamesi përballet me akuza. Edhe në të kaluarën, ish-lojtari më i vlefshëm i ligës, Kevin Garnett, kishte theksuar se Jamesi përdor substanca të ndaluara.
Jamesi do të luajë në sezonin e 23-të në NBA. Ai është koshashënuesi më i mirë i ligës me 42 mijë e 184 pikë.
Disa orë pas emisionit, Teague ka shkruar në Instagram dhe ka theksuar se ajo që kishte thënë ka qenë shaka.