Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Hasbrouck me synime të qarta – dy trofe me Trepçën

Kenny Hasbrouck

Skuadrës iu bashkua pa shumë bujë, por po del të jetë “armë” e vërtetë e Trepçës në sulmin për trofe të tjerë në basketbollin kosovar.

Kishte të tillë që dyshonin nëse Kenny Hasbrouck do të jetë përforcim i denjë për “xehetarët”.

Megjithatë amerikani 39-vjeçar që nga dita e parë dëshmoi cilësi të pakontestueshme.  Iu bashkua Trepçës më 8 dhjetor.

Të dielën fundori ishte i pandalshëm në fitoren 98:81 të Trepçës ndaj Golden Eagle Yllit. I realizoi plot 27 pikë. Madje i qëlloi gjashtë prej nëntë tentimeve për tri pikë.

Është shifra më e lartë e pikëve e amerikanit prej se erdhi te Trepça. Në katër ndeshjet e para u ndal nën dhjetë pikë, por edhe përgjegjësi kishte më pak. Më pas fitoi minuta e po ashtu rriti numrin e pikëve. Realizoi 17 pikë, 14, 16 e të dielën plot 27. 

Edhe Trepça vazhdon me Hasbrouckun Basketboll Trepça vazhdon me Hasbrouckun

Po luan me mesatarisht 13,4 pikë, 2,3 kërcime e 3,9 asistime për ndeshje.

“Jam shumë i kënaqur me rezultatin e ndeshjes ndaj Yllit. Ylli do të jetë një nga tri skuadrat më të mira të kësaj lige, ndaj kjo fitore ka pasur një rëndësi të madhe. Ne hymë në fushën e lojës me mentalitet dhe qasje shumë të mirë. Sigurisht, kemi ende gjëra për t’u përmirësuar, por për momentin kjo ishte një fitore e madhe për ne. Personalisht jam ndier mirë që realizova gjuajtjet e mia. Qëllimi im gjithmonë është të jem konstant në gjuajtje, kështu që ishte një mbrëmje e mirë për mua”, ka thënë Hasbrouck të hënën për KOHËN. 

Ai ka karrierë të gjatë e të suksesshme në basketbollin profesional. Para se t’i bashkohej Trepçës ishte në Meksikë. Ka luajtur edhe në elitën spanjolle, në Venezuelë, në Itali, Turqi, Gjermani. Në Spanjë e në Itali ka luajtur në nivelin e parë e edhe në të dytin. Dhe përvojën që e ka fituar në basketbollin profesionist nga viti 2010 e tutje, Hasbrouck tani e ka vënë në dispozicion të Trepçës.

Ai është pranuar mirë nga tifozët, ndërsa e vlerëson përkrahjen e tyre.

“Atmosfera në Mitrovicë është fantastike. Tifozët na japin një avantazh të madh dhe na motivojnë gjatë ndeshjeve me energjinë e tyre, duke ushtruar presion mbi skuadrat kundërshtare. E dua shumë lojën në shtëpi këtu dhe shpresoj që ata të vazhdojnë të sjellin këtë energji për gjithë sezonin, në garën për Kupë dhe në ndeshjet e plejofit”, ka theksuar Hasbrouck. 

Trepça është në seri prej dhjetë fitoreve në Superligë. Momentalisht duket skuadra me gjasat më të mëdha për të fituar titullin e kampionit. Po ashtu është në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, ku do të përballet në dy ndeshje me Borën.

Edhe Trepça prezanton amerikanin Hasbrouck Basketboll Trepça prezanton amerikanin Hasbrouck

“Kam ardhur te Trepça me një qëllim dhe ai është të fitoj. E njoh historinë e pasur këtu dhe ajo përputhet me qëllimet e mia që për çdo sezon që luaj, të fitoj. Së pari duam të fitojmë Kupën, pastaj të mbyllim sezonin e rregullt në vendin e parë dhe në fund të fitojmë kampionatin. Duhet të fokusohemi çdo ditë te fitorja dhe të përmirësojmë gjërat e vogla, por qëllimi im gjithmonë do të jetë të fitoj”. 

Trepça ka dominuar në basketbollin kosovar në vitet e fundit.