Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Gara për të shmangur fundin, më interesante se për kreun

Basketboll

Seria prej 13 fitoreve e Trepçës thuajse e ka mbyllur garën për pozitën e parë në stinorin e rregullt të Superligës së Kosovës në basketboll.

Shtatë xhiro para fundit të pjesës së rregullt të kampionatit, Trepça i ka 39 pikë në vendin e parë. Bashkimi është i dyti me 35 pikë. Është thuajse e pabesueshme që “xehetarët” mund të humbin katër prej shtatë ndeshjeve të mbetura, që është “skenar” për largimin e tyre prej pozitës së parë.

Me shumë gjasa në plejof Trepça do të startojë prej pozitës së parë e Bashkimi prej të dytës. Për pozitat tjera gara është shumë më interesante. Sidomos interesante është gara për t’i ikur dy pozitave të fundit. Pozita e tetë, përkatësisht e fundit, dërgon në kategorinë e dytë. E parafundit, përkatësisht e shtata, dërgon në plejaut.

Aktualisht i fundit është Rahoveci 029 me 28 pikë. E parafundit është Sigal Prishtina me 29 pikë. Prishtina është skuadra më e suksesshme në vend, që vazhdimisht ka luftuar për trofe. Por momentalisht është në zonën që nuk ia siguron mbetjen në elitë.

Nga 29 pikë i kanë edhe Golden Eagle Ylli në pozitën e pestë dhe Vëllaznimi në të gjashtën. GO+ Peja i ka 31 pikë në vendin e katërt, kurse Bora i ka 32 në pozitën e tretë.

Edhe Gara e ashpër për t’i ikur pozitës së tetë – Rahoveci 029, Vëllaznimi, Prishtina... Basketboll 4 muaj më parë Gara e ashpër për t’i ikur pozitës së tetë – Rahoveci 029, Vëllaznimi, Prishtina...

Rezultatet e xhiros së 21-të, e luajtur të premten e të shtunën, e kanë bërë garën për t’i ikur pozitave të fundit edhe më interesante.

Të premten Rahoveci 029 fitoi 75:69 ndaj Golden Eagle Yllit, kurse Vëllaznimi fitoi në udhëtim ndaj Pejës me rezultat 85:74. Të shtunën, Bora e mposhti Bashkimin e Prizrenit me rezultatin 86:71, kurse Trepça me kosh të sekondës së fundit, të realizuar nga Shawn Jones, e mposhti Sigal Prishtinën në kryeqytet me rezultat 86:84.

Trajneri i Prishtinës, Dushan Dubleviq, ka thënë se humbjen nga Trepça e solli fondi i limituar i lojtarëve. Prishtina po përballet me lëndimin e disa basketbollistëve.

“Kemi luajtur mirë ndaj Trepçës dhe jemi në rrugë të mirë për pjesën e mbetur të edicionit. Ishim ekip më i mirë se Trepça, por nuk kishim fat. Prishtina do të jetë më e mirë. Na duhet edhe një lojtar i madh në pozitën pesë. Do të vijë të martën apo të mërkurën. Do të na kthehen edhe lojtarët e lënduar. Askush nuk do të na mposht në shtëpi në vazhdim të kampionatit”, ka thënë Dubleviq.

Për shkak të ndeshjes së Kosovës me Sllovakinë, nuk ka xhiro të Superligës në fundjavën e ardhshme. Xhiroja e 22-të e Superligës zhvillohet më 4 e 5 mars. Të tjera ndryshime priten në skuadra, thuajse në të gjitha.

Por Trepça aktualisht po duket e pandalshme. Pos që e fitoi Kupën e Kosovës më fitore bindëse ndaj Bashkimit në finale, skuadra e Adis Beqiragiqit po shfaqet si favorite e madhe edhe për ta mbrojtur titullin e kampionit.

Ndërkohë gara për t’u ikur dy pozitave të fundit do të jetë e fortë në shtatë xhirot e mbetura, përkatësisht në pjesën e katërt të edicionit të rregullt.

Edhe Trepça e kërkon Kupën e pestë rresht, Bashkimi të dytën në histori Basketboll 4 muaj më parë Trepça e kërkon Kupën e pestë rresht, Bashkimi të dytën në histori

“Tani kemi më shumë kohë për të përgatitur edhe më mirë ekipin. Do të vazhdojmë luftën për të mbetur në Superligë”, ka thënë trajneri i Rahovecit 029, Goran Samargjiev.

Skuadrat prej vendit të parë e deri në vendin e gjashtë luajnë në plejof. I pari dhe i dyti kualifikohen direkt në gjysmëfinale, kurse katër skuadrat e tjera fillojnë në çerekfinale.