Trepça ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në basketboll.
Por “xehetarët” është dashur të djersiten shumë për të mposhtur Vëllaznimin të dielën mbrëma në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdeshjen e xhiros së 16-të, skuadra kampione e fitoi me rezultatin 78:73. Sfida ishte e hapur deri në aksionet e fundit, ndërsa kur po vendosej fituesi në shprehje erdhi përvoja e mysafirëve.
Në fakt në pjesën e parë dukej se Trepça do të fitonte lehtë, njëjtë si ndaj Prishtinës e Pejës në dy xhirot e kaluara. Shpejt mitrovicasit krijuan epërsi prej 20 pikëve, por gjakovarët nuk u zmbrapsën.
Çereku i parë përfundoi 24:11 për Trepçën, kurse çereku i dytë 17:15 po ashtu për skuadrën nga Mitrovica.
Vëllaznimi u afrua në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 28:21. Në minutat e fundit vendasit u afruan dy herë në dy pikë, por pa ia dalë të barazojnë.
Mustapha Amzil dhe Akili Vining kishin statistikat më të mira te Trepça. Amzil i realizoi 14 pikë, ndërsa i shtoi shtatë kërcime. Vining i kishte 18 pikë, pesë asistime e tri kërcime. Keneth Hasbrouck realizoi 14 pikë e pesë asistime, ndërsa i kishte edhe pesë topa të rrëmbyer. Batin Tuna ndihmoi fitoren me 13 pikë e katër kërcime.
Te Vëllaznimi u dallua Jericole Hellems me 23 pikë e gjashtë kërcime, por që i kishte edhe gjashtë topa të humbur. Yor Anei realizoi 13 pikë e tri kërcime, ndërsa Ziggy Reid i kishte 20 pikë e katër kërcime.
Trepça tani i ka 13 fitore e tri humbje. Udhëheqë në tabelë me 29 pikë. Vëllaznimi ka pesë fitore e 11 humbje, ndërsa po përfshihet gjithnjë e më shumë në garë për të shmangur rënien.