Skuadra e fundit në renditjen e Superligës së Kosovës në basketboll, Bora, e ka shkaktuar befasinë e xhiros së 10-të, pas disfatës që ia shkaktoi GO+ Pejës.
Në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Bora fitoi me një pikë dallim 82:81.
Bora me fitoren shumë të vështirë në minutat e fundit, tani ka katër fitore e pesë disfata, dhe me një ndeshje më pak të luajtur.
GO+ Peja e pësoi disfatën e tretë, ndërsa i ka edhe shtatë fitore.
Të njëjtat statistika i ka edhe nënkampioni, Bashkimi, që është i pari në tabelë.
Pikët e fitores për Borën i shënoi Amin Hot nga gjuajtja e lirë, gjashtë sekonda para fundit për 82:78. Hot ishte prej më të dalluarve te mysafirët me 23 pikë, shtatë kërcime e tri asistime.
Skyler Tyrone Flatten ishte i saktë për tri pikë kur kishin mbetur edhe katër sekonda për 82:81.
Këto ishin edhe pikët e fundit në ballafaqim.
Më i miri te Bora në ballafaqimin e zhvilluar të enjten mbrëma ishte Alex Hunter. Ai i pati 21 pikë, tetë kërcime e një asistim.
GO+ Pejës nuk i ndihmuan 20 pikët, pesë asistimet e tri kërcimet e Jordan Johnsonit.