Basketboll

Anderson i Bashkimit, më i miri i xhiros në basketboll

Kyan Anderson

Çmimi i lojtarit më të mirë të javës së 13-të të Superligës së Kosovës në basketboll i ka takuar amerikanit të Bashkimit, Kyan Anderson.

Anderson shkëlqeu në ballafaqimin e së dielës ndërmjet Bashkimit dhe GO+Pejës.

Nënkampioni i Kosovës e mposhti Pejën pas dy vazhdimeve me rezultatin 119:118 në palestrën “Karagaçi”.

33-vjeçari Anderson e mbylli ndeshjen me 29 pikë, katër kërcime dhe tri asistime.

Më i miri i xhiros shpallet nga Federata e Basketbollit e Kosovës.

Anderson ka zënë vend edhe në pesëshen më të mirë të xhiros.

Pjesë e pesëshes më të mirë janë edhe Tajh Green i Pejës, Adrio Bailey i Sigal Prishtinës, Ja'cori Payne i Trepçës dhe Gëzim Morina i Golden Eagle Yllit.