Auto

Volkswageni lë në pritje Golf 9 për shkak të rritjes së kostos

Volkswageni njoftoi në mars të vitit 2021 se modelet Golf, T-Roc, Tiguan dhe Passat do të kenë gjenerata të reja, por kjo deklaratë mund të ketë qenë e parakohshme, shkruan AuroCar.

Drejtori i ri i Volkswagen, Thomas Schafer, është i kujdesshëm në deklaratat e tij për të ardhmen e Golfit dhe në një intervistë për gazetën gjermane Welt, ai ka thënë se vendimi për zhvillimin e gjeneratës së nëntë të modelit nuk është marrë ende.

Ish-shefi i Skodas mori fronin e markës kryesore VW më 1 prill të këtij viti dhe duket se po vë në pikëpyetje të ardhmen e Golfit për shkak të rritjes së kostove të zhvillimit të veturave me motorë me djegie të brendshme.

Schafer deklaroi se në Evropë po i vjen fundi veturës 10 mijë euro, sepse respektimi i ligjeve gjithnjë e më të rrepta do të rrisë kostot e zhvillimit.

Ai konfirmoi se Volkswageni është duke punuar në një version të rifreskuar të Golfit aktual, por se ardhja e gjeneratës së nëntë të modelit popullor nuk është e sigurt.

“Nëse një model nuk shitet për shtatë ose tetë vjet, atëherë nuk është fitimprurës”, ka thënë shefi i VW-së.

Deklarata e tij se Golfi nuk mund të shitet për shtatë deri në tetë vjet lidhet me ndalimin e shitjes së veturave të reja me benzinë ​​dhe naftë në Bashkimin Evropian që hyn në fuqi më 2035.

Gjenerata e tanishme e tetë e Golfit ka ekzistuar që nga viti 2019 dhe pritet të ketë një version të ri më 2023 ose 2024, i cili do të shitet për tre deri në katër vjet. Prandaj, Golf 9 potencial do të mbërrinte rreth vitit 2027, që do të thotë se fundi i tij do të përkonte me “vdekjen” e motorit SUS në BE.

Disa tregje evropiane mund të vendosin të kalojnë në vetura elektrike më herët, gjë që do të ndikonte në shitjet dhe disponueshmërinë e Golfit.

Schafer tha se vendimi përfundimtar për gjeneratën e nëntë të Golfit do të merret në 12 muajt e ardhshëm.