Toyota ka thënë se ka bërë përparim teknologjik që do t’i lejojë asaj të përgjysmojë peshën, madhësinë dhe koston e baterive, gjë që mund të jetë “historike” për veturat elektrike, shkruan The Guardian.
Prodhuesi i dytë më i madh i veturave në botë ishte tashmë duke ndjekur një plan për të nxjerrë vetura me bateri të avancuara të gjendjes së ngurtë, të cilat ofrojnë më shumë përfitime se ato me bateri të lëngshme, deri në vitin 2025.
Kompania japoneze ka thënë se ka arritur ta thjeshtojë prodhimin e materialit të përdorur për t’i bërë bateritë e ngurta, duke e konsideruar zbulimin si një hap të rëndësishëm që mund të shkurtojë shumë kohën e karikimit dhe të rrisë rrezen e lëvizjes.
“Si për bateritë tona të lëngshme ashtu edhe për bateritë tona në gjendje të ngurtë, ne po synojmë të ndryshojmë në mënyrë drastike situatën ku bateritë aktuale janë shumë të mëdha, të rënda dhe të shtrenjta. Për sa i përket potencialit, ne do të synojmë të përgjysmojmë të gjithë këta faktorë”, ka thënë Keiji Kaita, president i qendrës së kërkimit dhe zhvillimit të kompanisë japoneze të veturave për neutralitetin e karbonit.
Kaita ka thënë se kompania kishte zhvilluar mënyra për t'i bërë bateritë më të qëndrueshme dhe besonte se tani mund të prodhonte bateri të gjendjes së ngurtë me një distancë prej 1200 km që mund të karikonte në 10 minuta ose më pak.
Kompania pret që të jetë në gjendje të prodhojë bateri në gjendje të ngurtë për përdorim në automjetet elektrike që në vitin 2027, sipas Financial Times.
Edhe
Toyota planifikon ta zgjerojë linjën e veturave elektrike me bateri deri në vitin 2026
Bateritë në gjendje të ngurtë janë parë gjerësisht si ndryshim i mundshëm i lojës për automjetet elektrike, duke premtuar se do të reduktojnë kohën e karikimit, do të rrisin kapacitetin dhe do të zvogëlojnë rrezikun e zjarrit që lidhet me bateritë litium-jon, të cilat përdorin elektrolit të lëngshëm.
Megjithatë, bateritë në gjendje të ngurtë zakonisht kanë qenë më të vështira dhe më të kushtueshme për t'u bërë, duke kufizuar aplikimin e tyre komercial.