Pasi grupi Renault vendosi të largohet nga Federata Ruse pas ngjarjeve në Evropën Lindore dhe pushtimit rus të Ukrainës, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, njoftoi se fabrika e gjigantit francez në Moskë, do të ketë qëllim tjetër.
Sobyanin deklaroi se “pronarët e huaj kanë vendosur të mbyllin fabrikën e veturave Renault në Moskë, por zyrtarët vendas nuk duhet të lejojnë që punëtorët të humbasin punën”.
"Kjo është e drejta e tyre, por ne nuk mund të lejojmë që mijëra punëtorë të humbasin punën e tyre", tha Sobjanin.
Si zgjidhje për këtë problem, Sobjanin theksoi se në të ardhmen, fabrika në vend të modeleve të Renaultit do të vazhdojë të prodhojë vetura me markën historike “Moskvitch”.
"Vendosa të transferoj fabrikën në buxhetin e qytetit dhe të vazhdojë prodhimin e makinave nën markën historike Moskvitch. Ne do të përpiqemi të sigurojmë që pjesa më e madhe e ekipit të punojë drejtpërdrejt në fabrikë dhe me nënkontraktorët e saj", theksoi kryebashkiaku.
Siç shpjegoi ai, partneri kryesor teknologjik i fabrikës së rinovuar të makinave “Moskvitch” duhet të jetë kompania ruse Kamaz. Në fazën e parë të punës së kompanisë mendohet të organizohet prodhimi i makinave klasike me djegie të brendshme, ndërsa në të ardhmen të kalohet në prodhimin e veturave elektrike.
Në fakt, fabrika e veturave me emrin kult “Moskvitch” ka histori të gjatë. Para gati 100 vjetëve, filloi prodhimin e Fordit dhe pas kësaj prodhoi vetura të quajtura “Moskvicht” për dekada.
Që nga viti 1998 fabrika ka bashkëpunuar me Renaultin dhe pikërisht nga këto linja prodhimi kanë dalë në treg modelet Dacia Logan, Duster dhe Sandero.
Dacia rumune është blerë nga Renaulti vite më parë.
Shumë prodhues të veturave kanë mbyllur fabrikat e tyre në Rusi si kundërpërgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës, që nisi më 24 shkurt. /autoblog
