Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Rregulloret e reja të sigurisë pamundësojnë prodhimin e veturave të lira

Sipas rregulloreve të reja të sigurisë që hynë në fuqi muajin e kaluar, ekzistojnë të paktën 20 teknologji që janë standarde në të gjitha makinat që shiten në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Arsenali i ri i pajisjeve të sigurisë bazuar në Rregulloren e Përgjithshme të Sigurisë 2, njëkohësisht e bën më të shtrenjtë prodhimin e veturave më të lira dhe ka të ngjarë të çojë në një rritje të çmimeve të tyre.

Rregullat e reja u diskutuan në kuadër të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për dhjetë vjet, dhe Bashkimi Evropian finalizoi propozimet e tij në vitin 2019. Masat e reja ndahen në dy faza.

Pakoja e parë e masave ka hyrë në fuqi më 6 korrik, ndërsa e dyta do të aktivizohet në vitin 2024.

Të gjitha modelet e reja të lansuara pas 6 korrikut 2022 do të duhet të jenë në përputhje me rregulloret e reja dhe nga viti 2024, edhe modelet e shitura më parë do të duhet të përshtaten më pas me rregulloren e përditësuar në mënyrë që të mund të vazhdojnë të shiten.

Një nga modelet që nuk do t'u mbijetojë rregulloreve të reja është Toyota GR86. Instalimi i një kamere për asistencë inteligjente për shpejtësinë e automjeteve dhe një sistem për mbajtjen e korsisë nuk mund të përfshihen lehtësisht në arkitekturën e këtij modeli, i cili është marrë nga GT86, i projektuar më shumë se 10 vjet më parë.

Edhe Zhvillime dramatike, tetë vende evropiane kundër standardit Euro 7 Auto Zhvillime dramatike, tetë vende evropiane kundër standardit Euro 7

Toyota njoftoi se do të duhej ta çonte më lart çatinë dhe ta lëvizte xhamin e përparmë për të akomoduar kamerën. Për këtë arsye, kompania japoneze ka njoftuar uljen e shitjeve të këtij modeli në Evropë vetëm dy vjet pas premierës së tij.

Bashkimi Evropian ka miratuar rregullore të reja me synimin për të përgjysmuar numrin e vdekjeve si pasojë e aksidenteve në rrugë. Synimi është që ky numër "t’i afrohet zeros" deri në vitin 2050.

Industria e automobilave pretendon se siguria është përparësia e saj, por në të njëjtën kohë ajo shqetësohet për ngurtësinë e rregulloreve për klasa të caktuara të makinave dhe hezitimin e Bashkimit Evropian për të përshtatur kornizën kohore dhe ligjet e sigurisë me ciklet e prodhimit të modeleve të veturave. /autoblog