Të premten, më 8 dhjetor, kufiri i shpejtësisë në shumicën e rrugëve në Amsterdam do të ulet në maksimum 30 kilometra në orë. Ditët e fundit shërbimet kompetente kanë përgatitur qytetin për këtë ndryshim, duke rregulluar shenjat rrugore dhe duke vendosur afër 4400 tabela të reja.
Nga 8 dhjetori, 80 për qind e rrugëve të Amsterdamit do të kenë një kufizim shpejtësie prej 30 km/h. Shpejtësia maksimale do të tregohet qartë në çdo rrugë me sinjalistikë rrugore.
Tabelat e para në rrugët e ardhshme ku kufiri do të jetë 30 km/h nisën të vendosen të hënën e kaluar.
Autoritetet janë të vetëdijshme se do të duhet kohë që drejtuesit të mësohen me kufizimet e reja, por theksojnë se drejtimi më i ngadaltë do të sigurojë lëvizje më të sigurt dhe më të relaksuar për të gjithë.
“Si shofer, ju do të keni një pamje më të mirë dhe do të jeni në gjendje të reagoni më shpejt ndaj situatave të papritura. Në 30 km/h, distanca e frenimit është 13 metra, më pak se gjysma e asaj në 50 km/h (27 metra). Me shpejtësinë maksimale prej 30 km/h presim 20 deri në 30 për qind më pak aksidente të rënda. Probabiliteti që një këmbësor t'i mbijetojë një aksidenti në të cilin një veturë po udhëtonte me shpejtësi 30 km/h është 95 për qind. Gjithashtu mendojmë qyteti do të jetë më i qetë dhe më i këndshëm për të jetuar”, sipas autoriteteve në kryeqytetin holandez, shkruan DailyMail.
Në javët në vijim do të vendosen sinjalistika shtesë në rrugët ku shpejtësia e kufizuar do të mbetet në 50 km/h për të bërë më të qartë se cili kufi ku zbatohet.
Në mënyrë që transporti publik të funksionojë pa probleme, në disa vende do të ndërtohen korsi të veçanta. Transporti publik lejohet të vazhdojë lëvizjen me shpejtësi 50 km/h në këto korsi.