Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Megjithatë, Tesla thyen rekord në vitin 2022

Pavarësisht lajmeve jo të mira kohëve të fundit me rënien e aksioneve, Tesla dorëzoi një numër rekord veturash vitin e kaluar, pasi shitjet vazhduan të rriteshin në përqindje që çdo prodhues tjetër i madh i automjeteve vetëm mund të ëndërronte.

Prodhuesi amerikan i veturave elektrike ka dorëzuar 1.3 milionë automjete në vitin 2022, që është 40% më shumë se në vitin 2021.

Më 2022, Tesla prodhoi pothuajse 1.4 milionë automjete, që është 47% më shumë në krahasim me vitin e kaluar, shkruan CNN.

Sidoqoftë, tremujori i katërt i vitit 2022 ishte disi zhgënjyes pasi u dorëzuan "vetëm" 405.278 automjete, nën vlerësimin mesatar të pritshëm prej 431 mijë.

Në tremujorin e fundit të vitit 2022, Tesla dorëzoi 388.131 kopje të Model 3 dhe Y, ndërsa dërgesat e kombinuara të Model S dhe Model X arritën në vetëm 17.147 automjete.

Sa i përket planeve për të ardhmen, spekulohet se modeli i ri më i vogël dhe më i lirë Model 2 nuk do të prezantohet deri në vitin 2024 dhe prodhimi i kësaj veture pritet të fillojë në vitin 2025 dhe pritet të kushtojë 25 mijë dollarë.