Shefi ekzekutiv i Lamborghinit, Stephan Winkelmann, ka deklaruar se klientët ende kërkojnë “tingullin dhe emocionin” e motorëve me djegie të brendshme, ndaj kompania planifikon t’i përdorë ato për të paktën edhe një dekadë.
Në një intervistë për BBC Winkelmann ka thënë se interesi për veturat elektrike po bie, duke krijuar një mundësi për t’u fokusuar më shumë te teknologjitë hibride.
Një vendim për modelin e ardhshëm, “Lanzador”, i planifikuar fillimisht si plotësisht elektrik, do të merret brenda muajit.
Lamborghini aktualisht ka tre modele kryesore: Temerario dhe Revuelto – të dyja supervetura hibride, dhe Urus, që ofrohet si version hibrid dhe me motor klasik. Urus përbën më shumë se gjysmën e shitjeve të kompanisë.
Planet për një Urus tërësisht elektrik, të parashikuar për 2029, janë shtyrë për 2035. Edhe projekti për veturën elektrike Lanzador është vënë në pikëpyetje.
Winklemann shtoi se vazhdimësia e motorëve klasikë është “vendimtare për suksesin e kompanisë”, pasi klientët ende duan “zhurmën dhe ndjesinë” që ofron një motor me djegie të brendshme.