Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

“Jeep” zbulon automjetin e parë plotësisht elektrik në “Paris Motor Show”

“Jeep”, tani në pronësi të korporatës së prodhimit të veturave “Stellantis”, është në rrugë për t’u bërë një markë e automjeteve SUV elektrike, shkruan të martën AP-ja.

Në ngjarjen e përvitshme “Paris Motor Show”, e cila u hap për media të hënën (17 tetor), shefi ekzekutiv, Christian Meunier, zbuloi konceptin e ri të kompanisë “Avenger 4xe”, duke treguar planet e markës për ta pasur një portofol modelesh tërësisht elektrike.

Gjithashtu u zbulua automjeti i parë plotësisht elektrik “Jeep Avenger”. Bateria e tij 54 kWh fuqizon një motor elektrik 400 volt, duke premtuar një distancë prej 400 kilometrash.

Kompania thotë se me mbushje prej tre minutash të baterisë, mund të përshkohen rreth 30 kilometra distancë. Kurse, për 24 minuta, bateria e kësaj veture mund të mbushet deri në 80 për qind.

“Vetura jonë ‘Jeep Avenger’ tërësisht elektrike, synon një distancë pa stres prej 400 deri 550 km të ngasjes në qytet. Me aftësinë e karikimit të shpejtë, do t’ju duhen vetëm 3 minuta për të marrë dozën tuaj ditore të energjisë deri në 30 kilometra. Ekziston gjithashtu një përvojë plotësisht digjitale dhe e lidhur në bord, dhe ‘Jeep Avenger’ ka aftësinë e automatizuar të drejtimit dhe gjithashtu teknologjinë më të fundit të sigurisë”, tha Meunier.

Kështu “Jeep” është në rrugë për t’u bërë një markë SUV elektrike.

Meunier thotë se kompania po planifikon t’i prezantojë katër automjete tërësisht elektrike në Evropë deri në vitin 2025. Deri në vitin 2030, 100 për qind e shitjeve të markës “Jeep” në Evropë, pritet të jenë plotësisht elektrike, tha ai.

Edhe Jeep prezantoi Avengerin tërësisht elektrik për Evropën Auto Jeep prezantoi Avengerin tërësisht elektrik për Evropën

Rezervimi paraprak për veturën “Jeep Avenger” u hap të hënën më 17 tetor.

Image

Në muajin shkurt, Stellantis tha se i fitoi 13.4 miliardë euro (15.2 miliardë dollarë) në vitin e parë të formimit nga bashkimi i “Fiat Chrysler Automobiles” dhe “PSA Group”.

Ngjarja “Mondial de l’Auto” ose “Paris Motor Show”, u hap për mediat të hënën më 17 tetor dhe do të zgjasë deri më 23 tetor në qendrën e konventave, “Paris Expo Porte de Versailles”.