Auto

Evropiani në automobilizëm, Kosova në Spanjë

Valdet Kaçandolli, garues dhe një nga veteranët e automobilizmit në Kosovë, ka filluar me veturën e tij Suzuki Swift R+ sfidën garuese në Kampionatin evropian të disiplinës malore të njohur si EHC. Gara e rrethit të tretë të EHC-së po zhvillohet në Subida al Fito të Spanjës.

Sipas një njoftimi nga Federata e Autosporteve të Kosovës, Kaçandolli ka përfunduar të shtunën me sukses tri xhirot e ushtrimeve në kategorinë e Grupit 3, me kohën më të mirë prej tre minutash, 11 sekondash e 9 të mijtat.

“Sapo përfundova tri xhirot e treningut, dhe ndjesia nga kafazi i veturës është e papërshkrueshme për përvojën që ta jep ngasja në këtë shteg mahnitës, me publik nga starti deri në finish, mbi 10 mijë tifozë të zjarrtë të auto-sportit, të cilët është e pamundur të mos vërehen edhe nga adrenalina që jep shtegu jashtëzakonisht me tempo dhe teknik, sfidues për 3 minuta. Sidoqoftë, jam tepër i kënaqur me pritjen dhe organizimin e kësaj gare të këtij niveli evropian”, ka thënë Kaçandolli, anëtar i klubit Prishtina RT.

Në këtë garë marrin pjesë 150 garues. Në mëngjesin e së dielës do të nisin lëshimet zyrtare në dy tempo, që regjistrohen si rezultat për plasman, pikë dhe shpërblime për kupa.

Sipas FASK-ut, megjithatë më e rëndësishme është që “një garues nga Kosova arrin të ketë prezantim dinjitoz dhe shumë sportiv, falë përvojës dhe veturës së përgatitur posaçërisht për gara malore Hillclimb, Suzuki Swift R+”.

Spanja konsiderohet territor jo i lehtë për sportistët nga Kosova, pasi në disa raste ka refuzuar dokumentet e kosovarëve, për shkak se nuk e njeh Kosovën si shtet.