Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

BMW-ja dhe McLareni po përgatisin super veturën e re

Revista britanike CAR ka zbuluar se BMW-ja dhe McLareni po përgatisin të sjellin në treg një super veturë. Përfaqësuesit e dy prodhuesve thuhet se u takuan me dyer të mbyllura në fillim të këtij viti për të rënë dakord mbi disa nga detajet teknike paraprake.

BMW-ja dhe McLareni me sa duket do të punojnë së bashku në një platformë për një super veturë elektrike që do të krijonte një model për secilën markë.

Megjithatë, nuk do të ishte i njëjti mjet me distinktivë të ndryshëm, por vetura me dizajne të veçanta brenda dhe jashtë.

Revista CAR sugjeron se versioni i BMW-së mund të jetë një rival i Porsche Taycanit që do të zëvendësojë BMW Seria 8 Gran Coupe.

Projekti i super veturës elektrike thuhet se do të vijë në treg në periudhën nga viti 2026 deri në vitin 2028 dhe mund të krijojë gjithashtu një crossover.