Auto

BE rrit ndjeshëm eksportet e veturave elektrike, mbi 8 miliardë euro të ardhura më 2019

Bashkimi Evropian po kthehet në vend kryesor i prodhimit dhe përdorimit të makinave elektrike dhe hibride – të cilat punojnë me energji të kombinuar, elektricitet dhe karburant.

Në tre vitet e fundit BE ka dyfishuar eksportet e makinave të tilla ndërsa njëkohësisht janë rritur edhe importet.

Eurostat njoftoi të martën se në vitin 2019 BE pati një bilanc pozitiv prej 1.1 miliard eurosh të eksport-importeve të makinave elektrike.

Në tërësi nga BE-ja u eksportuan makina me vlerë totale 8.2 miliardë euro, ndërsa u importuan 7.1 miliardë. Krahasuar me vitin 2018 (5.3 miliardë eksporte, 2.3 miliardë importe) ka një rritje prej 2.9 miliardësh në eksporte dhe 4.8 miliardësh në importe.

Në vitin 2018 importet ishin 78% më pak, ndërsa në vitin 2017 84% më pak (1.1 miliardë).

Kjo prirje tregon se në BE vitet e fundit është rritur ndjeshëm përdorimi i makinave elektrike, pasi evropianët nuk po mbeten vetëm në prodhim, por edhe konsum duke blerë nga jashtë gjithashtu marka të tjera.

Shkëmbimet tregtare të BE-së për sektorin e makinave elektrike.Sipas Eurostat tregu kryesor i eksporteve të makinave elektrike nga BE-ja është në Britaninë e Madhe (26%), Norvegji (22%) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (19%).

Nga ana tjetër importet duhet thënë se vijnë kryesisht nga SHBA-të (43%), Koreja e Jugut (23%) dhe Britania (17%).

Tregu i makinave elektrike duket se nuk u trondit shumë nga pandemia, ku efektet kryesore u ndjenë në muajin prill.

Të dhënat falsin se në periudhën janar-prill 2020 eksportet nga BE-ja u rritën me rreth 400 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë (nga 2.5 miliardë në 2.9 miliardë).

Në statistika përjashtim nga muajt e parë të vitit bën muaji prill, ku eksportet ranë me 500 milionë euro krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë (nga 800 milionë në 300 milionë).

Eurostat thotë se kjo tkurrje në eksporte ka ardhur si efekt i masave kufizuese të pandemisë së COVID-19.

Në 10 vitet e fundit tregu i makinave elektrike është dominuar kryesisht nga prodhimet kineze, amerikane dhe japoneze, mirëpo kthimi i politikave kryesore të BE-së drejt energjisë së pastër dhe reduktimit të ndotjes në mjedis ka shtyrë markat kryesore të makinave në Evropë të ripërcaktojnë fokusin duke hyrë ndjeshëm në tregjet botërore.

Ndër modelet më të tregtuara janë Mitsubishi Outlander, Renault Zoe, Nissan Leaf, Tesla Model S, Volkswagen e-Golf/euronews.

{gallery}